Bashkimi te tri pikët me golat e Ristovskit dhe Ribeiros

Në ndeshjen e fundit të javës së 12-të, Bashkimi e mposhti Arsimin me golat e Ristovskit dhe Ribeiros, duke i dhënë fund serisë prej tre ndeshjesh pa fitore. Arsimi vazhdon serinë negative prej 8 ndeshjesh pa fitore.

Rastin e parë në ndeshjen në Kumanovë e pati Bashkimi. Pas krosimit nga këndi, Tenlep gjuajti në zonën e rreptësisë, por reagoi mbrojtësi mysafir Mustafa, i cili e devijoi topin në këndore. Pak më vonë, kërcënoi edhe Januzi nga 17 metra, por topi përfundoi pranë portës së Arsimit.

Në minutën e 30-të, Adis Murati gjuajti nga 20 metra, por topi përfundoi mbi portën e Siljanovskit. Në anën tjetër, rastin më të mirë për Arsimin e pati Ramadani, i cili pas një kundërsulmi të shpejtë e dërgoi topin lart mbi portën e Bashkimit. Në kohën shtesë, Januzi hyri në zonën e rreptësisë dhe krosi në kohën e duhur, por Ribeiro nuk arriti ta mposhtë portierin e Arsimit.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit. Në minutën e 48-të, mbrojtja mysafire nuk arriti ta largojë topin nga zona e rrezikshme dhe ai përfundoi te Ristovski, i cili me një goditje të fuqishme arriti ta mposhtë portierin Siljanovski.

Në minutën e 51-të gaboi mbrojtësi i Bashkimit, Sumer Hasan, ndërsa sulmuesi i Arsimit, Fatjon Jusufi, nuk arriti ta shfrytëzojë këtë „top të dhuruar“ dhe e dërgoi topin pranë portës. Në anën tjetër, Murati kërcënoi me një goditje nga 12 metra, por Siljanovski nuk lejoi befasi. Nga e njëjta anë kërcënoi edhe Ribeiro, por Siljanovski e devijoi topin në këndore.

Vendasit patën rast ta rrisnin epërsinë në minutën e 60-të, kur Maimona depërtoi në krahun e djathtë dhe asistoi në zonën e rreptësisë, por Ribeiro nuk ishte i saktë nga 7 metra. Maimona ishte pranë shënimit pasi e anashkaloi portierin mysafir, megjithatë në vijën e portës reagoi Iljazi, duke e larguar topin në këndore.

Në përpjekjen e tij të tretë, Ribeiro arriti ta mposhtë portierin e Arsimit për ta rritur epërsinë e Bashkimit në dy gola. Edhe në aksionin më serioz të mysafirëve, Arsimi arriti të shënonte përmes Gajes, i cili hyri në zonën e rreptësisë dhe e mposhti portierin e Bashkimit.

Rastin e fundit të ndeshjes e pati Da Silva, i cili nuk arriti ta mposhtë portierin e Arsimit.