Struga Trim Lum e mposhti Vardarin me rezultatin 0-1 në ndeshjen derbi të javës së 12-të në Ligën e Parë të Futbollit. Golashënues i golit të fitores ishte Marjan Radevski në minutën e 31-të, pas asistimit të Pape Falit.
Pas këtij triumfi, Struga Trim Lum iu afrua liderit Shkëndija dhe tani ka vetëm një pikë më pak, duke u renditur në vendin e dytë, ndërsa Vardari është në pozitën e katërt me 21 pikë.

Vardarasit nisën në mënyrë ofensive dhe Zakariq u faulua në zonë, pas së cilës u akordua penallti. Megjithatë, pas ndërhyrjes nga dhoma e VAR-it, vendimi u anulua, sepse sulmuesi i Vardarit ishte në pozicion jashtë loje.
Më pas, Struga Trim Lum krijoi rastet e saj. Ismaili goditi shtyllën në minutën e 25-të, ndërsa gjashtë minuta më vonë mysafirët kaluan edhe në epërsi.

Fali nga krahu i majtë dërgoi një krosim në shtyllën e dytë, ndërsa Marjan Radevski arriti me mjeshtëri të godiste në vendin e duhur për epërsinë 0-1, me të cilën skuadra shkoi edhe në pushim.
Në minutën e 50-të, Omeragiq gjuajti me kokë, por pranë portës, ndërsa pesë minuta më vonë Vardari pati rastin më të mirë. Manevski krosi nga krahu i majtë, Danev e goditi topin me volej, por portieri i Struga Trim Lum, Vasko Vasilev, arriti të priste me një ndërhyrje pothuajse në vijën e portës.

Në minutën e 63-të, Ismaili pati mundësinë ta dyfishonte epërsinë e mysafirëve. Ai doli i vetëm përballë portierit të Vardarit, por Davod Taleski ia ngushtoi këndin dhe priti.
Në tridhjetë minutat e fundit, struganët zgjodhën ta mbronin epërsinë minimale, ndërsa Vardari, edhe pse kishte iniciativën, nuk arriti të barazonte. Provuan Omeragiq, Pireş dhe Danev, por pa ndonjë efekt më serioz.

Në fund, gjatë kohës shtesë të gjyqtarit, Struga Trim Lum mbeti edhe me një futbollist më pak, por arriti të siguronte tri pikë të mëdha në derbin me Vardarin.





