Sedloski: T’i korrigjojmë gabimet dhe të tregojmë dëshirë, shpirt luftarak dhe disiplinë

Përfaqësuesja "A" të Maqedonisë e presin dy sfidat e fundit në paraqitjen debutuese në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Gjatë nëntorit, të përzgjedhurit e Goce Sedlloskit fillimisht do të luajnë si mysafirë në Gllasgou kundër Skocisë (13 nëntor), ndërsa tri ditë më vonë në Shkup do ta presin përfaqësuesen e Sllovenisë (16 nëntor).

Përzgjedhësi Goce Sedlloski e publikoi listën e futbollistëve të ftuar, ndërsa në konferencën për shtyp shpjegoi zgjedhjet e tij dhe pritshmëritë nga dy ndeshjet e fundit në grup.

Sedlloski theksoi se i njeh mirë kundërshtarët, duke pasur parasysh se Maqedonia tashmë i ka matur forcat me të dyja përfaqësueset gjatë ecurisë së deritanishme të garës. Theksi kryesor do të vihet te korrigjimi i gabimeve, disiplina më e madhe dhe angazhimi maksimal në fushë.

„Kemi luajtur me të dyja përfaqësueset dhe e dimë se për çfarë ekipesh bëhet fjalë. Duhet t’i korrigjojmë gabimet që i bëmë në ndeshjen e parë me Skocinë. Nga lojtarët kërkoj vrapim, dëshirë dhe disiplinë në lojë. Skocia është një përfaqësuese e fortë, por rezultatet që kemi lënë pas duhet t’i harrojmë. Në këto dy ndeshje duam të përmirësohemi. Kjo është një listë futbollistësh që kanë minuta te klubet e tyre dhe për këtë arsye vendosa për këtë përbërje“, theksoi Sedlloski.

Përzgjedhësi foli edhe për mungesën e Bojan Miovskit, i cili gjatë periudhës së fundit nuk kishte minutat e dëshiruara te Gllasgou Renxhërs.

„Miovski për një periudhë më të gjatë nuk kishte minuta te Gllasgou Renxhërs, ndaj vendosa për këta katër sulmues. Ai nuk është fshirë nga përbërja. Kur të ketë më shumë minuta dhe të luajë rregullisht, do të marrë sërish ftesë“, shpjegoi përzgjedhësi Sedloski.

Në dy xhirot e fundit, Maqedonia do të përpiqet ta përmirësojë përshtypjen dhe ta përmbyllë pjesëmarrjen e saj të parë në Ligën B me rezultate që do të jenë nxitje për sfidat e ardhshme të përfaqësueses.