Përfaqësuesja A (femra): Izraeli, Ishujt Faroe dhe Andorra janë kundërshtarët e Maqedonisë në Ligën e Kombeve

Në shortin e sotëm në Nion, Përfaqësuesja A e femrave të Maqedonisë mësoi kundërshtarët në edicionin e ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Përfaqësuesja jonë do të garojë në Ligën C, ku si kundërshtare do të ketë përfaqësueset e Izraelit, Ishujve Faroe dhe Andorrës.

Në Ligën C garojnë përfaqësueset që, sipas renditjes në kualifikimet për Kupën e Botës 2027, u renditën në nivelin e tretë të futbollit evropian të përfaqësueseve. Fitueset e gjashtë grupeve në Ligën C sigurojnë promovim të drejtpërdrejtë në Ligën B, ndërsa dy përfaqësueset e renditura më mirë në vendin e dytë do të kenë mundësinë të luftojnë për promovim në një nivel më të lartë përmes ndeshjeve të play-off-it.

Pas shortit, përzgjedhësi i Përfaqësueses A të femrave të Maqedonisë, Aleksandar Andov, ndau pritshmëritë e tij për ndeshjet e ardhshme dhe sfidat që e presin përfaqësuesen.

„Andorra është një përfaqësuese që e njohim mirë dhe kundër së cilës kemi arritur dy fitore. Ishujt Faroe dhe Izraeli janë përfaqësuese me të cilat nuk kemi luajtur deri tani, por shpresoj se edhe kundër tyre do të arrijmë rezultate pozitive. Megjithatë, duhet të jemi realistë në pritshmëritë tona. Përfaqësuesja jonë është në një proces rinovimi, me përfshirjen e futbollisteve nga përfaqësueset U19 dhe U17. Ky është një proces që kërkon kohë, punë dhe durim. Jam optimist dhe besoj te potenciali i kësaj gjenerate. Për mua, sukses do të jetë të fitojmë më shumë pikë se në ciklin e kaluar, të vazhdojmë zhvillimin e futbollisteve të reja dhe të përgatitemi gradualisht për rezultate më të mëdha në të ardhmen“, theksoi përzgjedhësi.

Ndeshjet e fazës së grupeve do të luhen në tri periudha: nga 23 shkurti deri më 6 mars, nga 13 deri më 24 prill dhe nga 7 deri më 15 qershor 2027.