Shtipjani i solli fitoren Vardarit nga Shtipi. Boban Nikolov shënoi për tri pikë për „kuqezinjtë“ e Shkupit në ndeshjen kundër Bregallnicës. Edhe pse shtipjanët nuk u dominuan dhe ishin kundërshtar i barabartë, megjithatë në fund u desh ta pranonin humbjen, ndërsa Vardari fiton tri pikë të rëndësishme në betejën për titullin.
Fillimin e shkëlqyer të ndeshjes, Bregallnica megjithatë nuk e kurorëzoi me epërsi. Ajo pati një rast përmes Gligorovit që në sekondat e para, ndërsa më pas edhe Ivan Nikolov pati një mundësi në minutën e 18-të, por rezultati nuk ndryshoi. Vendasit nuk patën epërsi as në minutën e 20-të, kur Rajkovi me kokë tentoi, por topi kaloi pranë portës.
Për këtë arsye, shtipjanët u „ndëshkuan“ në minutën e 24-t. Krosimi i Jankulovit nga e djathta u largua nga Kocevi, por topi shkoi te Nikolovi, i cili gjuajti me të parën dhe shënoi në këndin e djathtë të portës së Filevskit.
Sulmet e Bregallnicës vazhduan, kështu që Stojanovi pati një rast në minutën e 39-të, por Taleski priti shkëlqyeshëm.
Pjesa e dytë filloi gjithashtu me një rast për vendasit. Maksimovi u gjend në një mundësi shumë të mirë, por pasi doli i vetëm përballë portës, u ngatërrua dhe Taleski ia mori topin. Në minutën e 83-të pati një rast edhe Vardari për 0:2, por goditjen e Zakariqit e priti shkëlqyeshëm Filevski.
Mundësinë e fundit për t’i shpëtuar humbjes, Bregallnica e pati në minutën e 89-të, kur Nikolovi u gjend në një rast të mirë, por vardarianët, me shumë fat, u mbrojtën dhe arritën t’i fitonin tri pikët nga kjo ndeshje.
Në xhiron e ardhshme, Bregallnica do të jetë mysafire e Arsimit, ndërsa Vardari do ta luajë derbin e madh për titullin dhe do të udhëtojë në transfertë te Shkëndija.





