Njoftim për zbatimin e duhur të teknologjisë VAR dhe kriteret për zbatimin e rregullave të lojës së futbollit

Në ndeshjen e sotme të javës së 10-të të Ligës së Parë të Maqedonisë ndërmjet ekipeve të FC Shkëndija Araçinovë dhe FC Struga Trim Lum, në minutën e 24-të të ndeshjes ndodhi një situatë kyçe për ndërhyrje të VAR-it.

Konkretisht, sulmuesi me numrin 9 i FC Struga Trim Lum u pengua në mënyrë të palejueshme dhe josportive, me faull përmes tërheqjes dhe mbajtjes, të vazhdonte aksionin kur topi iu pasua nga bashkëlojtari i tij, në një situatë në të cilën ai kishte një mundësi të dukshme për të shënuar gol pa pengesë. Nëse sulmuesi nuk do të ishte penguar me faull të dukshëm, ai do të arrinte i pari te topi dhe do të fitonte një avantazh të qartë ndaj mbrojtësit me numrin 3 të ekipit vendas, i cili tashmë nuk kishte mundësi të luante me topin, vonohet në mbrojtje dhe më pas, duke bërë faull me të dyja duart, e tërheq dhe e mban sulmuesin kundërshtar, duke e penguar të shfrytëzojë një mundësi të dukshme për të shënuar.

Gjyqtari kryesor, pavarësisht faullit të dukshëm, fillimisht nuk reagoi dhe lejoi që loja të vazhdonte. Gjyqtarët e VAR-it hapën siç duhet Protokollin e VAR-it dhe nisën kontrollin e kësaj situate, pas së cilës ndërhynë në mënyrë të drejtë dhe rekomanduan rishikimin e pamjeve në fushë (OFR) për një faull të mundshëm për goditje dënimi dhe masë disiplinore me karton të kuq të drejtpërdrejtë për pengimin e një mundësie të dukshme për shënim (DOGSO).

Pas rishikimit të situatës, gjyqtari kryesor e ndryshoi siç duhet vendimin e tij fillestar, akordoi goditje dënimi dhe i tregoi karton të kuq të drejtpërdrejtë mbrojtësit.

Në këtë situatë, Protokolli i VAR-it u respektua plotësisht dhe kriteret e Rregullave të Lojës së Futbollit për faull për goditje dënimi dhe për pengimin e një mundësie të dukshme për shënim u zbatuan saktë.

Kjo situatë konfirmon edhe një herë rëndësinë e teknologjisë VAR si mjet për situatat kyçe në të cilat është bërë një gabim i qartë dhe i dukshëm, me qëllimin e vetëm për të siguruar vendime më të drejta në fushën e lojës.

Njëkohësisht, theksojmë dhe e informojmë opinionin publik se ekipi vendas FC Shkëndija Araçinovë, për herë të dytë dhe në të njëjtën mënyrë, në mënyrë të pabazë dhe subjektive, përmes përfaqësuesve të ekipit dhe personave jozyrtarë, ka hyrë në dhomën e zhveshjes së gjyqtarëve dhe në mënyrë josportive, fyese dhe vulgare ka fyer gjyqtarët dhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ndërsa incidenti është konstatuar në procesverbal.

Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe Organizata e Gjyqtarëve e dënojnë ashpër këtë sjellje të pahijshme, të pacivilizuar dhe tejet josportive, e cila përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit, dinjitetit dhe sigurisë së zyrtarëve. Paaftësia sportive, mosnjohja e Rregullave të Lojës së Futbollit dhe mosrespektimi i vlerave themelore sportive nuk mund dhe nuk do të jenë kurrë justifikim për fyerje, kërcënime, presione dhe sulme të pabazuara ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Federatës, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendime të marra drejt, në përputhje me Rregullat e Lojës së Futbollit dhe Protokollin e VAR-it.

Për këtë sjellje do të iniciohet procedurë përkatëse disiplinore para organeve kompetente të FFM-së.