Arsimі dhe Bregallnica zhvilluan një ndeshje spektakolare dhe emocionuese në Gostivar, ndërsa në fund mysafirët nga Shtipi shënuan fitore me rezultatin 4:3.
Mundësia e parë serioze për vendasit erdhi që në minutën e 4-t, kur Aliti provoi me një goditje të rrezikshme, por portieri Filevski ishte në lartësinë e detyrës dhe e shpëtoi portën e tij.
Në minutën e 21-të, kapiteni Albin Ramadani gjuajti nga distanca. Portieri mysafir e priti goditjen, por topi mbërriti te Lorik Kaba Jakupi, i cili shënoi nga afër për epërsinë 1:0 të Arsim it.
Megjithatë, gëzimi i vendasve zgjati pak. Në minutën e 25-të, pas një aksioni të shpejtë të Bregallnicës, Kocev e tundi rrjetën për barazimin 1:1.
Mysafirët vazhduan lojën sulmuese dhe në minutën e 39-të, pas një sulmi nga krahu i majtë, mbrojtja e Arsimit reagoi me vonesë. Gligorov u gjend në vendin e duhur dhe realizoi pa probleme për përmbysjen dhe epërsinë 2:1 të Bregallnicës.

Sapo filloi pjesa e dytë, skuadra nga Shtipi vazhdoi me të njëjtin ritëm. Në minutën e 49-të, Velkovski goditi me kokë dhe shënoi golin e tretë për ekipin e tij, duke e çuar rezultatin në 3:1. Edhe në këtë rast, mbrojtja vendase reagoi keq.
Arsimi nuk u dorëzua. Në minutën e 59-të, pas disa përpjekjeve të njëpasnjëshme, Misimi krosoi nga krahu i majtë, ndërsa spanjolli Goni shënoi me kokë për ta ngushtuar rezultatin në 3:2.
Vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 64-t, kapiteni Albin Ramadani goditi një top që ngjante më shumë me një krosim, por topi ndryshoi drejtim dhe përfundoi në rrjetë për barazimin 3:3.

Arsimi ishte pranë përmbysjes së plotë në minutën e 70-të, kur Gaje e goditi topin në zonën e rreptësisë, por njëri prej mbrojtësve mysafirë ndërhyri në momentin e fundit dhe largoi rrezikun pranë vijës së portës.
Kur pritej që ndeshja të përfundonte pa fitues dhe vendasit të merrnin një pikë pas rikthimit të madh nga disavantazhi prej dy golash, erdhi shoku në kohën shtesë. Në minutën e 93-të, pas ekzekutimit të rivënies nga këndi, Natanael Oskоe u gjend më së miri në zonën e rreptësisë dhe me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 4:3 në favor të Bregallnicës.
Kjo është fitorja e parë jashtë fushe për skuadrën nga Shtipi në kampionatin aktual, një triumf që sjell lehtësim të madh dhe vetëbesim shtesë për vazhdimin e sezonit.
Në anën tjetër, Arsimi mbetet me një zhgënjim të madh. Edhe pse arriti të rikthehej nga disavantazhi 1:3, humbja në sekondat e fundit e thellon më tej krizën e rezultateve në të cilën ndodhet skuadra. Bregallnica, nga ana tjetër, largohet nga Gostivari me tri pikë të çmuara dhe një fitore që mund të jetë pikë kthese për sezonin e saj.





