Darko Çurlinov: Besojmë në rezultate pozitive

Përfaqësuesja më e mirë e Maqedonisë zhvilloi stërvitjen e sotme para dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Të përzgjedhurit e selektorit Goce Sedloski i presin një ndeshje si mysafirë kundër Skocisë në Glasgou dhe një duel me Slloveninë në terren vendas, ndërsa pritshmëritë e tij i ndau rikthyesi në ekipin kombëtar, Darko Çurlinov.

„Gjithmonë ka qenë nder për mua të luaj për këtë fanellë dhe gjithmonë do të jap maksimumin. Shpresojmë për më të mirën. Natyrisht, do të analizojmë dhe do të përpiqemi të zbatojmë në fushë gjithçka që do të na thotë trajneri“, theksoi Çurlinovi.

Futbollisti anësor konsideron se minutazhi i mirë që reprezentuesit kanë në klubet e tyre mund të jetë një faktor i rëndësishëm në sfidat e ardhshme.

„Minutazhi në klub është shumë i rëndësishëm dhe ajo energji përcillet edhe këtu. Është mirë që të gjithë luajmë në klubet tona, që kemi minutazh, dhe besoj se kjo do të ketë ndikim pozitiv në këto dy ndeshje“, shtoi reprezentuesi i Maqedonisë.

Çurlinovi beson se Maqedonia ka cilësi për të konkurruar me çdo kundërshtar, pavarësisht emrave dhe potencialit individual të palës kundërshtare.

„Skocia i ka McTominay, Gilmour, Robertson, ndërsa ne i kemi Elif Elmas, Bardin dhe Stole Dimitrievskin. Sot nuk ka përfaqësuese që nuk mund të mposhtet, kështu që këtë duhet ta tregojmë në fushë“, porositi Çurlinovi.

Maqedonia të premten do të luajë si mysafire ndaj Skocisë në Glasgou, ndërsa tri ditë më vonë, në terren vendas, do ta presë Slloveninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.