Në një ndeshje me pak gola dhe raste të pastra në fushën e rënduar të stadiumit në Kumanovë, ndarja e pikëve mes Bashkimit dhe Bregallnicës është epilogu më i drejtë.
Vendasit ishin më konkretë në pjesën e parë. Që në aksionin e parë pas goditjes nga këndi, Ristovski provoi të gjuante, por topi përfundoi mbi portën e Bregallnicës. Në minutën e 13-të, Hasan Sumer kërcënoi me kokë në zonë, megjithatë portieri i mysafirëve ishte në vendin e duhur.
Rasti i parë i rrezikshëm i mysafirëve erdhi në minutën e 14-të, kur Maksimov gjuajti nga 16 metra, ndërsa topi i dëbuar nga portieri vendas Aliu arriti te Gligorov, i cili loboi si portierin, ashtu edhe portën e Bashkimit. Iniciativa e Bashkimit u shpërblye në minutën e 27-të, kur kaluan në epërsi 1:0: Kaplanaj harkoi në zonë, ndërsa atje më së miri u gjend Favzi Jahaja, i cili me goditje me kokë mposhti portierin Jashar.

Pjesa e dytë nisi me lojë më ofensive të Bregallnicës. Që në minutën e 52-të, Ivan Gligorov pati rastin e parë serioz, por goditja e tij nga skaji i zonës përfundoi pranë portës së Aliut. Pak më vonë, në aksionin e parë më të rëndësishëm të kësaj pjese, mysafirët arritën të barazonin në 1:1. Stojkovski harkoi në zonën e rreptësisë, Nikollov e ktheu topin me kokë, ndërsa ndërhyrjen e pasigurt të portierit Aliu e shfrytëzoi Maskoe, i cili e dërgoi topin në rrjetë me gjoks.
Deri në fund të ndeshjes ritmi ra dhe nuk pati emocione të mëdha para të dyja portave, ndaj të dyja skuadrat i ndanë drejtësisht pikët.
Në javën e ardhshme, të 14-tën, Bashkimi i shkon mysafir Shkëndijës së Araçinovës, ndërsa Bregallnicën e pret përballja derbi kundër Struga TL në Shtip.





