Derbi kuqezi në Gostivar, përfundon pa fitues

Ndeshja derbi në Gostivar përfundoi pa fitues, megjithëse u shënuan 3 gola, të cilët pas ndërhyrjes së sistemit VAR u anuluan për pozicion jashtë loje.

Në minutën e 8-të regjistruam kërcënimin e parë më serioz, kur Krasniqi gjuajti fuqishëm nga 16 metra, por portieri i mysafirëve ishte në vendin e duhur. Dy minuta më vonë, Arbin Zejnulai harkoi shkëlqyeshëm, por Ndzengue nga vetëm pesë metra humbi një mundësi kolosale. Vardari u kundërpërgjigj përmes Najdovskit, goditja me kokë e të cilit përfundoi drejt në duart e Bubakar Gajes.

Në minutën e 24-të, Zejnulai u përpoq ta lobonte Taleskin, i cili kishte dalë nga porta, nga gjysma e fushës, por pa sukses, ndërsa në anën tjetër Gaje, me përpjekje maksimale, e mbrojti goditjen e Danevit nga 18 metra.

Momentet më emocionuese ndodhën në fund të pjesës së parë. Në minutën e 31-të, Ndzengue më në fund e tundi rrjetën, por pas reagimit të sistemit VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje. Pak para pushimit, i njëjti lojtar edhe një herë e shmangu kurthin e ofsajdit dhe e loboi Taleskin, por topi kaloi pak mbi traversë.

Pjesa e dytë filloi me një mundësi për Meliqin, i cili pas krosimit të Krasniqit gjuajti me kokë pranë portës, ndërsa Vardari u kundërpërgjigj përmes Jankullovit, gjuajtja e të cilit shkoi jashtë kuadratit.

Në minutën e 53-të, Zakariqi provoi fuqishëm nga ana e majtë, por Gaje ishte i sigurt. Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes ndodhi në minutën e 55-të, kur Shkëndija kërkoi penallti pas duelit mes Zakariqit dhe Manevit në zonë, por gjyqtari kryesor vetëm sinjalizoi që loja të vazhdonte.

Në fund të ndeshjes pasuan edhe disa aksione të rrezikshme. Shkëndija kërcënoi përmes Trumçit nga 20 metra, ndërsa Vardari u përgjigj përmes Najdovskit me kokë dhe Danevit, i cili humbi nga një pozitë e shkëlqyer, 11 metra nga porta. Në minutën e 84-të, Gaye duhej të ndërhynte sërish pas goditjes së fuqishme të Pireshit për të parandaluar golin, ndërsa tashmë në minutën pasuese Danevi humbi edhe një mundësi të madhe për mysafirët, kur nga zona e rreptësisë gjuajti pranë portës.

Në minutën e 88-të, pas kundërsulmit të shpejtë të nisur nga Spahiu, Vardari shënoi përmes Danevit. Megjithatë, pas reagimit të sistemit VAR, goli u anulua. Mysafirët e tundën sërish rrjetën në minutën e 96-të, kur Spahiu harkoi në zonë, ndërsa Pireşi shënoi në rrjetën e vendasve. Sidoqoftë, përsëri pas ndërhyrjes së sistemit VAR u akordua ofsajd, kështu që ndeshja përfundoi pa fitues, me rezultat të barabartë 0:0.