Përfaqësuesja deri në 19 vjeç, në startin e turneut që zhvillohet në Maqedoni, fitoi një pikë pasi në xhiron e parë luajti pa gola në përballjen me Irlandën e Veriut. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Dimitar Kapinkovski zhvilloi një ndeshje të mirë dhe në fund pati mundësi edhe të gëzohej për fitoren.
“Përfaqësuesja e Irlandës së Veriut është vërtet një skuadër cilësore, me shumë individë të mirë që luajnë në Premier Ligën angleze. Zhvilluam një ndeshje luftarake dhe tejet të pasigurt, në të cilën patëm momentet tona dhe mund të arrinim deri te tri pikët. Gjithmonë është e vështirë të luash ndeshjen e parë në çdo turne, por futbollistët dhanë maksimumin dhe jam i kënaqur me atë që treguan”, deklaroi përzgjedhësi.

Të shtunën përfaqësuesen e pret një sfidë e re dhe edhe më e madhe, përballja me favoritën e parë të grupit, përfaqësuesen e Zvicrës, e cila në xhiron e parë triumfoi ndaj Maltës me 6:0.
“Zvicra është përfaqësuesja e renditur më lart në grupin tonë. Nuk kemi arsye të dorëzohemi para kohe; këta futbollistë janë të përgatitur për të konkurruar dhe për të dëshmuar veten, dhe konsideroj se kjo skuadër ka cilësinë për të zhvilluar një ndeshje të barabartë me kundërshtarin favorit”, përfundoi Kapinkovski.
Ndeshja kundër Zvicrës do të luhet në Turnovo, duke filluar në orën 13:00, ndërsa në raundin e fundit të turneut kundërshtare kemi Maltën; kjo ndeshje është në program më 17 të këtij muaji dhe do të fillojë në të njëjtin orar.





