Përfaqësuesja e Maqedonisë vazhdon përgatitjet në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Të përzgjedhurit e selektorit Goce Sedloski i presin ndeshja në transfertë ndaj Skocisë në Glasgou dhe dueli me Slloveninë në shtëpi.
Pritshmëritë e tij para sfidave përfundimtare i ndau sulmuesi i Shkëndijës, Marko Gjorgjievski, i cili shpreson se me debutimin dhe kontributin e tij do të ndihmojë përfaqësuesen të rikthehet në nivelin e dëshiruar.
„Shpresoj se, nëse do të marr një shans në ndeshje, do të jap kontributin tim dhe se do të fillojmë të ecim në drejtim pozitiv, ashtu siç e meriton kjo përfaqësuese. Në çdo përfaqësuese dhe në çdo klub vjen një periudhë e caktuar krize, por mendoj se ka ardhur koha të dalim prej saj dhe shpresoj që gjithçka të jetë siç duhet“, theksoi Gjorgjievski.
Sulmuesi i ekipit kombëtar konsideron se përvoja dhe forma konkurruese e futbollistëve më me përvojë mund të jenë faktorë të rëndësishëm në duelet e ardhshme. Ai beson se Maqedonia ka cilësinë për t’iu kundërvënë kundërshtarit të fortë dhe për të arritur rezultat pozitiv në Glasgou.
„Futbollistët më me përvojë në përfaqësuese tashmë janë në formë konkurruese dhe mendoj se kjo do të dëshmohet në ndeshjet kundër Skocisë dhe Sllovenisë. Besoj se selektori do të gjejë mënyrën se si të rreshtohemi dhe të zhvillojmë një ndeshje të shkëlqyer, t’i kundërvihemi Skocisë dhe të arrijmë rezultat pozitiv“, shtoi Gjorgjievski.
Maqedonia të premten do të luajë në transfertë ndaj Skocisë në Glasgou, ndërsa tri ditë më vonë, në shtëpi, do ta presë Slloveninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.





