Në hotelin „Holiday Inn“ në Shkup u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit „Preke golin“ (Touch the Goal) – Futboll për çdo fëmijë, i realizuar nga QSHRA „Idnina“, me mbështetje financiare nga Fondacioni i UEFA-s për Fëmijë.
Në këtë ngjarje u prezantuan aktivitetet, përvojat dhe rezultatet e zbatimit njëvjeçar të projektit, objektivi kryesor i të cilit ishte krijimi i mundësive për përfshirje më të madhe të fëmijëve me zhvillim atipik në futboll dhe në aktivitetet sportive, përmes zhvillimit të praktikave gjithëpërfshirëse dhe përmirësimit të kapaciteteve të mësuesve dhe profesionistëve.
Konferencën e hapën me fjalë përshëndetëse drejtoresha e QSHRA „Idnina“, Loreta Andrejevska, dhe Irena Bakrevska Miloshevska nga Departamenti për Qëndrueshmëri Sociale dhe Mjedisore pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), të cilat theksuan rëndësinë e projektit dhe nevojën për krijimin e një mjedisi sportiv ku çdo fëmijë do të ketë mundësi të marrë pjesë, të përparojë dhe të ndihet i pranuar.
Në kuadër të konferencës u prezantuan aktivitetet e realizuara gjatë vitit të kaluar, me theks të veçantë te trajnimi i mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në shkolla. Qëllimi ishte që, përmes mjeteve, njohurive dhe metodologjive konkrete, të krijoheshin kushte për zbatimin afatgjatë të praktikave gjithëpërfshirëse, jo vetëm në kuadër të projektit, por edhe në punën e përditshme të shkollave dhe klubeve sportive.
Një nga rezultatet më të rëndësishme është promovimi i manualit „Udhëzues praktik për krijimin e mjediseve sportive gjithëpërfshirëse përmes futbollit“, i prezantuar nga Katarina Veliçkovska dhe Irena Novaçeska-Makallloska. Manuali, i disponueshëm në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze, përbën një mjet praktik për mësuesit e edukatës fizike, trajnerët, shkollat e futbollit dhe klubet.
Përmes aktiviteteve dhe metodave konkrete, manuali ofron udhëzime se si stërvitjet dhe aktivitetet sportive mund të përshtaten për fëmijët me zhvillim atipik, me qëllim përfshirjen e tyre më të lehtë dhe pjesëmarrjen e barabartë. Në të njëjtën kohë, ai përmban mjete për zhvillimin e aftësive të futbollit, komunikimit dhe bashkëpunimit në grupet e përbëra nga fëmijë me zhvillim atipik.
„Projekti „Preke golin – Futboll për çdo fëmijë“ po përfundon, por përfitimet e tij do të vazhdojnë të jetojnë përmes përdorimit të manualit të krijuar gjatë vitit të kaluar. Ai u dedikohet të gjitha shkollave të futbollit dhe trajnerëve që punojnë me fëmijë. Duke zbatuar dhe përshtatur aktivitetet dhe mjetet që përmban, trajnerët do të mund t’u ofrojnë mbështetje fëmijëve me zhvillim atipik dhe t’u mundësojnë atyre të integrohen më lehtë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në stërvitje dhe ndeshje. I ftojmë të gjitha klubet, shkollat dhe trajnerët ta përdorin manualin dhe të krijojnë mjedise ku çdo fëmijë do të ketë mundësi të luajë, të përparojë dhe të ndihet pjesë e ekipit“, theksoi Irena Bakrevska Miloshevska nga FFM.

„E dinim se suksesi i projektit varej mbi të gjitha nga njerëzit që punojnë çdo ditë me fëmijët. Prandaj fokusi ynë i parë ishte trajnimi i mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Nuk donim vetëm të organizonim aktivitete sportive, por të lëmë pas njohuri, mjete konkrete dhe kapacitete që do të vazhdojnë të përdoren edhe pas përfundimit të projektit. Manuali është një nga rezultatet më të vlefshme në këtë drejtim. Besojmë se zbatimi i tij do t’u hapë dyert edhe më shumë fëmijëve për t’u bërë pjesë e futbollit dhe sportit“, theksoi Loreta Andrejevska, drejtoreshë e QSHRA „Idnina“.
Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin edhe filmin dokumentar „Touch the Goal“, i cili përcjell përvojat dhe rrëfimet nga realizimi i projektit, pas së cilës vijoi një diskutim në panel ku u ndanë shembuj nga terreni, përvoja nga mbështetja mes bashkëmoshatarëve dhe praktika të suksesshme për përfshirje përmes futbollit.

Në projekt u përfshinë gjithsej 10 shkolla fillore, përkatësisht QSHRA „Idnina“ – Shkup, si bartëse e projektit, dhe SHF „Kiro Gligorov“ nga Qendra, SHF „Zhivko Brajkovski“ nga Buteli, SHF „Imri Elezi“, SHF „Vasil Glavinov“ dhe SHF „Tefejjuz“ nga Çairi, SHF „Koço Racini“ nga Petroveci, SHF „Hristijan Karposh“ dhe SHF „Magdalena Antova“ nga Kumanova, SHF „Ilinden“ nga Kriva Pallanka dhe SHF „Koço Racini“ nga Kratova.
Përmes aktiviteteve të projektit u përfshinë 130 nxënës, ndërsa 18 mësues të edukatës fizike dhe shëndetësore (EFSH) ndoqën trajnim për zbatimin e metodologjive dhe aktiviteteve gjithëpërfshirëse në mësimdhënie dhe praktikën sportive. Në këtë mënyrë, projekti nuk u përqendrua vetëm në përfshirjen e drejtpërdrejtë të fëmijëve në futboll, por edhe në edukimin e stafit që do të vazhdojë t’i zbatojë njohuritë e fituara edhe pas përfundimit të projektit.
Ngjarja përfundoi me ndarjen e mirënjohjeve për shkollat, mbështetësit dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e suksesshëm të projektit.
Edhe pse „Preke golin“ përfundon zyrtarisht, misioni i tij vazhdon përmes njohurive, manualit dhe praktikave që mbeten si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të sportit gjithëpërfshirës.
Projekti edhe një herë konfirmoi se futbolli është shumë më tepër se një lojë; ai është hapësirë për pranim, barazi, mbështetje dhe bashkësi. Sepse fitoret më të mëdha nuk maten me rezultatin në tabelën e rezultateve, por me mundësitë që krijojmë për çdo fëmijë. Futbolli është për çdo fëmijë. Dhe suksesi më i madh është kur fitojmë së bashku.





