Sedlloski: Me qasje ofensive ndaj Sllovenisë

Kombëtarja e futbollit e Maqedonisë nesër në mbrëmje, duke filluar në orën 20:45, në Arenën Kombëtare „Todor Proeski“ në Shkup do ta luajë ndeshjen përmbyllëse, të gjashtën e fazës së grupeve në Ligën B të Ligës së Kombeve, ku kundërshtare do të jetë përfaqësuesja e Sllovenisë.

Në konferencën zyrtare për shtyp, përzgjedhësi Goce Sedlloski konfirmoi se atmosfera në ekip është në një nivel për t’u admiruar dhe se futbollistët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa e vetmja dilemë mbetet paraqitja e Dimitar Mitrovskit.

Duke vënë në pah shpirtin luftarak që ekipi e demonstroi në ndeshjen e mëparshme në transfertë në Glasgou, Sedlloski theksoi se tani është momenti për një qasje më të guximshme.

„Duhet të nisim më ofensivisht se në ndeshjet e mëparshme. Krijojmë raste dhe kur në ndeshje të tilla krijoni 2-3 raste – duhet t’i shfrytëzoni. Sllovenia është një përfaqësuese kompakte dhe del fuqishëm nga mbrojtja, por besoj se me karakter mund të arrijmë te tre pikët. Për formacionin do të vendos pas stërvitjes zyrtare“, deklaroi Sedlloski.