Ekipi i Bashkimit kërkon një fitore të re në javën e 10-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, ku në shtëpi do të përballet me Sileksin. Kumanovarët hyjnë në këtë duel me motivim të madh, pas triumfit të rëndësishëm 2:1 ndaj Struga Trim Lumit në javën e kaluar – ndeshje që njëkohësisht ishte edhe premierë e suksesshme për shefin e ri të shtabit teknik, Muarem Muaremin. Tani Bashkimi kërkon fitoren e dytë radhazi para tifozëve të vet dhe të tretën në total këtë sezon.
„Ky është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ta vazhduar serinë pozitive. Besojmë fuqishëm në cilësinë tonë dhe, me mbështetjen e tifozëve tanë fantastikë, jam i bindur se do t’ia dalim dhe tre pikët do të mbeten në Kumanovë“, deklaroi Besjan Aliu.
Me fitoren ndaj kampionit në fuqi Struga Trim Lum, Bashkimi i dha fund një serie prej katër ndeshjesh pa triumf. Nga ana tjetër, Sileksi hyn në këtë përballje në formë të dobët, me tri humbje dhe tri barazime në tri javët e fundit, përkatësisht gjithsej gjashtë ndeshje pa fitore.
Ky do të jetë dueli i 26-të mes Bashkimit dhe Sileksit. Historia është në anën e skuadrës nga Kratova, e cila ka 14 fitore kundrejt Bashkimit që numëron 7 fitore, ndërsa 4 përballje kanë përfunduar me barazim.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Kumanovës, duke filluar nga ora 12:00. Arbitri kryesor i këtij dueli do të jetë Stojançe Trpçevski.





