Nga një pikë për Arsimin dhe Tikveshin në përballjen në Gostivar

Në ndeshjen e fundit të javës së 10-të në PMFL, Arsimi dhe Tikveshi fituan nga një pikë, pasi në Gostivar luajtën baras 1-1.

Aksionin e parë të rrezikshëm në ndeshjen e fundit të javës së 10-të e pati Tikveshi, kur sulmuesi mysafir Laval kërcënoi me kokë, por topi përfundoi sigurt në duart e portierit Siljanovski. Kërcënimet e mysafirëve vazhduan edhe në minutën e 23-të pas një kundërsulmi të shpejtë, mirëpo goditja e Silës përfundoi mbi traversë.

Në anën tjetër, Arsimi u kundërpërgjigj menjëherë duke shfrytëzuar një gabim në mbrojtjen mysafire, ku sulmuesi Gaje e dërgoi topin në rrjetë, por gëzimi i vendasve zgjati shkurt, pasi goli u anulua pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Vendasit nuk u dorëzuan dhe e shtuan presionin, duke kërcënuar sërish në minutën e 33-të përmes spanjollit Goni, goditjen e të cilit e priti portieri Stevkovski.

 

Përpjekjet e Arsimit u shpërblyen në minutën e 38-të, kur Lorik Kaba-Jakupi shfrytëzoi në mënyrë të shkëlqyer një pasiguri në mbrojtjen kundërshtare dhe me një goditje të fuqishme me këmbën e majtë nga 17 metra e tundi rrjetën për 1-0.

Pjesa e parë solli një dramë të vërtetë. Fillimisht, një minutë para fundit, Sila u përpoq të befasonte nga një kënd shumë i vështirë, por Siljanovski ishte në vendin e duhur, ndërsa në sekondat e fundit të shtesës, i njëjti lojtar, N’fanli Sila, pas asistimit të Lavalit, goditi saktë nga 17 metra dhe e barazoi rezultatin në 1-1.

Edhe në fillim të pjesës së dytë ritmi mbeti i lartë, ndërsa Tikveshi menjëherë krijoi rastin e parë serioz pas një korneje, kur Besir Ramadani goditi me kokë, por topi përfundoi pak pranë shtyllës.

Në minutën e 67-të, mysafirët kërkuan lojë me dorë nga mbrojtja vendase, por gjyqtari kryesor Gjorgjiev, pas sugjerimit të sistemit VAR, tregoi se nuk kishte elemente për penallti. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në minutën e 73-të, këtë herë në zonën e Tikveshit, ku Laval luajti me dorë, por pas konsultimit të përsëritur me sistemin VAR, gjyqtari Gjorgjiev dha shenjë që loja në Gostivar të vazhdonte.

Në minutën e 81-të, Okere pati momentin më atraktiv të ndeshjes, kur u përpoq me një goditje fantastike nga mbi 30 metra, por topi përfundoi në traversën e portës së Arsimit. Pak para fundit, në minutën e 87-të, mbrojtësi mysafir Fal bëri një gabim të madh, por Toshevi nuk arriti ta shfrytëzonte rastin pasi u ndal nga ndërhyrja e shkëlqyer e portierit Stivkovski.

Në javën e ardhshme, të 11-tën, Arsimi sërish do të jetë nikoqir në Gostivar ndaj Bregallnicës, ndërsa Tikveshi në Kavadar do ta presë ekipin e Bashkimit.