Todorov: Të luajmë me cilësi dhe të arrijmë rezultat pozitiv

Dueli ndërmjet Shkëndijës nga Haraçina dhe Struga Trim Lum do të nis javën e 10-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë (LPFM). Pas barazimit me Shkëndijen e Tetovës, skuadrën vendase e pret edhe një test i vështirë kundër një ekipi nga kreu i tabelës.

„Para së gjithash, dua të theksoj se kemi respekt të madh për ekipin e Struga Trim Lum. Bëhet fjalë për një kundërshtar serioz, cilësor dhe të organizuar mirë, që ka lojtarë cilësorë dhe di të luajë në ndeshje të tilla. Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje e vështirë dhe e paparashikueshme, por gjithashtu besojmë në cilësitë tona dhe në punën që kemi bërë gjatë periudhës së kaluar. Gjatë gjithë javës u përgatitëm maksimalisht për këtë duel. Stërvitëm me shumë punë dhe disiplinë, e analizuam në detaje lojën e kundërshtarit, pikat e tij të forta, por edhe hapësirat që mund t’i shfrytëzojmë. Atmosfera në ekip është e shkëlqyer, të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe të gatshëm të japin maksimumin e tyre në fushë“, theksoi Martin Todorov.

Mesfushori i skuadrës nga Haraçina beson se Shkëndija mund të arrijë rezultat pozitiv nëse i zbaton plotësisht udhëzimet e stafit teknik.

„Për ne, gjëja më e rëndësishme është loja jonë – të jemi të disiplinuar, të përqendruar dhe luftarakë nga minuta e parë deri në të fundit. Besoj se, nëse i përmbushim detyrat e dakorduara dhe zbatojmë atë që kemi përgatitur në stërvitje, mund të shpresojmë për një ndeshje të mirë dhe rezultat pozitiv. E respektojmë kundërshtarin, por në fushë do të dalim me shumë vetëbesim, dëshirë për të konkurruar dhe një synim të qartë – të zhvillojmë një ndeshje cilësore dhe të arrijmë rezultat pozitiv“, përfundoi Todorov.

Në duelin e tyre të vetëm të deritanishëm në Ligën e Parë, ekipi i Struga Trim Lum triumfoi me 3:0.

Ndeshja ndërmjet Shkëndijës së Haraçinës dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në stadiumin në Çair me fillim në orën 12:00, ndërsa gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë Vllatko Ilijoski.