Përfaqësuesen e Maqedonisë në Glasgou e pret dueli me Skocinë në kuadër të Ligës së Kombeve. Trajneri i ekipit tonë kombëtar, Goce Sedlloski, e paralajmëroi ndeshjen kundër përfaqësueses që triumfoi në duelin e parë mes tyre në Shkup me rezultatin 2:0. Në prag të ndeshjes së dytë në grupin e Ligës B, trajneri kërkon një paraqitje më të mirë të Maqedonisë dhe ndërprerjen e serisë negative të rezultateve në këtë kompeticion.
„Ndeshja e radhës është një ndeshje e madhe, kundër një Skocie të fortë. E dimë se me çfarë lojtarësh disponon. Luajtëm kundër këtij rivali një muaj më parë në Shkup dhe ai arriti të na mposhtë. Jemi të vetëdijshëm për gabimet dhe duhet t’i korrigjojmë. Gjatë tri ditëve të fundit kemi stërvitur, kemi një atmosferë të shkëlqyer. Lojtarët janë të përqendruar dhe të motivuar. Shpresoj që atë që kemi punuar ta tregojnë edhe në fushë. Dua të shoh besim, të pozicionohemi mirë taktikisht dhe të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Rezultatet janë siç janë, jemi të vetëdijshëm për këtë si ne, ashtu edhe lojtarët, por shpresoj që me ndeshjen kundër Skocisë të dalim nga seria negative. Përballë do të kemi një rival të fortë, që e ka sërish në dispozicion McTominay-n. Duhet të luajmë me guxim, lojtarët të kënaqen dhe të mos kemi frikë. Më vjen mirë që të gjithë përfaqësuesit po marrin minuta te klubet e tyre dhe shpresoj që të vazhdojnë kështu edhe më tej“, deklaroi Sedlloski.
Matej Gashtarov është një nga futbollistët e rinj të përfaqësueses së Maqedonisë në këtë cikël të Ligës së Kombeve. Futbollisti i Crvena Zvezdës shpreson se do të arrijmë rezultat pozitiv kundër Skocisë në „Hampden Park“.
„Kur e veshim fanellën e Maqedonisë, mendoj se nuk duhet të kërkojmë motivim të veçantë, sepse vetë fakti që jemi në përfaqësuesen A sjell motivimin. Luajmë kundër një Skocie të madhe, që ka lojtarë cilësorë, por edhe ne kemi emrat tanë që janë në formë shumë të mirë. Do të dalim në fushë për të dhënë gjithçka nga vetja dhe për të kënaqur.”.
Për mua, brenda njëzet ditësh më ndryshoi e gjithë jeta dhe kjo është diçka e re. Kur dal në fushë, përpiqem të kënaqem. Kam luajtur kundër shumë lojtarëve të mëdhenj dhe përfaqësueseve të mëdha, nuk kam presion dhe përpiqem ta shijoj momentin“, deklaroi Gashtarov.

Ndeshja mes Skocisë dhe Maqedonisë në „Hampden Park“ në Glasgou do të luhet të premten, duke filluar në orën 20:45 sipas kohës së Maqedonisë.





