Shkembi: Na pret një ndeshje e vështirë kundër Vardarit, por në Shkup shkojmë për fitore

Trajneri i Struga Trim Lum, Bledi Shkembi, e paralajmëroi ndeshjen e ardhshme kundër Vardarit, duke theksuar se ekipin e tij e pret një sfidë e vështirë, por në Shkup do të udhëtojnë me një synim të qartë – të fitojnë tri pikët.

„Kundër Vardarit na pret një ndeshje e vështirë, njësoj si pothuajse çdo javë në kampionat. Shkojmë në Shkup për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe do të përpiqemi të fitojmë. Sigurisht, duhet ta respektojmë kundërshtarin dhe të japim maksimumin nga ana jonë“, deklaroi Shkembi.

Trajneri i Struga Trim Lum foli edhe për garën për kreun e tabelës, rëndësinë e duelit të sotëm me Vardarin, si dhe për sfidën e radhës kundër Shkëndijës së Tetovës, duke theksuar se është ende herët që këto ndeshje të shpallen vendimtare.

„Nuk mendoj se bëhet fjalë për ndeshje vendimtare, as për këtë kundër Vardarit, as për të radhës që na pret kundër Shkëndijës. Kampionati ka ende shumë ndeshje dhe ka kohë të mjaftueshme për të rikuperuar pikët, pavarësisht situatës momentale“, porositi strategu i Struga TL.

Ndeshja mes Vardarit dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në kompleksin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, duke filluar në orën 14:00, ndërsa do ta gjykojë Done Ristovski.