Vardari e kaloi me sukses ndeshjen në Gostivar dhe festoi ndaj Arsimit me rezultatin 0-1. Golashënues i golit të fitores për kampionin në fuqi ishte Boban Nikollov në minutën e 19-të, pas asistimit të Zakariqit. Arsimi mbetet në fund pas kësaj humbjeje, ndërsa nga minuta e 68-të luajti edhe me një futbollist më pak pas përjashtimit të Argjent Gafurit.
Vardari vendosi presion që nga fillimi dhe kërkonte golin e epërsisë. Në minutën e 15-të, Matiqi e gjeti rrjetën e vendasve, por goli nuk u akordua pas ndërhyrjes së VAR-it, për shkak të pozicionit jashtë loje në të cilin ndodhej asistuesi Diabate.
Më pas kërcënoi edhe Zakariqi, ndërsa në minutën e 19-të Boban Nikollov i dha epërsinë Vardarit me goditje me kokë. Asistues ishte pikërisht Zakariqi, i cili harkoi shkëlqyeshëm në zonën e rreptësisë së vendasve.
Pasuan edhe disa përpjekje të tjera të Vardarit për ta dyfishuar epërsinë, përmes Babunskit, Nikollovit dhe Zakariqit, por pa rezultat.
Në anën tjetër, Arlind Aliti u përpoq ta befasonte Taleskin, por portieri i Vardarit ishte më i suksesshëm.
Gaje kërcënoi në fillim të pjesës së dytë, por nuk ishte i saktë, ndërsa më pas Omeragiqi nuk ishte i saktë me goditje me kokë në anën tjetër.
Në minutën e 58-të, Zakariqi pati një mundësi të mirë, por goditja e tij u bllokua dhe më pas u prit nga portieri Siljanovski.
Tre minuta më vonë, Azer Omeragiqi pati një mundësi kolosale, doli i vetëm përballë portierit Siljanovski, por nuk arriti të shënonte.
Në minutën e 68-të, Argjend Gafuri u përjashtua pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi goditi Migel Pireshin në fytyrë me bërryl. Vendasit protestuan, por u detyruan të vazhdonin me një lojtar më pak.
Gjashtë minuta më vonë, Mislav Matiqi pati një mundësi të mirë për të shënuar pasi reagoi ndaj topit të kthyer nga portieri Siljanovski, por nga afërsia e kaloi topin mbi portë.
Në minutën e 81-të, Zakariqi krijoi një mundësi për Jankullovin, por ai nuk shënoi pasi topi ngeci në baltë para zonës së vogël.
Në fund, triumf 0-1 për Vardarin dhe tre pikë për ekipin e Miodrag Bozhoviqit.





