Shkëndija e Tetovës kthehet me tri pikë të mëdha nga transferta te Tikveshi në Kavadar, pasi triumfoi me dy gola në pjesën e dytë dhe u rikthye në garë për vendin e parë pas humbjes së Strugës TL në Kratovë.
Ishte e vështirë të luhej në fushën e keqe dhe të lagësht në Kavadar, por në pjesën e dytë ekipi tetovar arriti të shënonte dy gola dhe t’i merrte pikët.

Pas pjesës së parë nuk pati shumë raste nga asnjëra palë.
Në pjesën e dytë, rrjedha e ndeshjes ishte krejtësisht ndryshe. Në fillim të pjesës së dytë, Dimeski luajti me dorë në zonën e tij të rreptësisë pas tentativës së Zejnulait, ndërsa gjyqtarët, pas thirrjes nga dhoma e VAR-it, akorduan penallti në favor të Shkëndijës. Realizues i sigurt nga pika e bardhë ishte Krasniqi, i cili e mposhti Stevkovskin në minutën e 49-të të ndeshjes.

Shkëndija e rriti epërsinë në minutën e 78-të. Krasniqi ekzekutoi një rivënie nga këndi dhe e gjeti Meliqin, i cili me goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë dhe shënoi për 2:0.
Në fund të ndeshjes, Tamba mund ta rritte fitoren, pasi u gjend i vetëm përballë portës, por tentativa e tij përfundoi vetëm pranë shtyllës së majtë.






