Sot, në selinë e UEFA-s në Nion, do të hidhet shorti për ndeshjet e play-off-it në Ligën e Kombeve, ku përfaqësuesja A e Maqedonisë do ta mësojë kundërshtarin në luftën për mbijetesë në Ligën B.
Maqedonia u rendit mes katër skuadrave të favorizuara në shortin e play-off-it mes Ligës B dhe Ligës C, së bashku me Izraelin, Rumaninë dhe Gjeorgjinë. Kundërshtarët e mundshëm të përfaqësueses sonë janë Estonia, Bjellorusia, Ishujt Faroe dhe Qipro, përfaqësuese që zunë vendin e dytë në grupet e tyre në Ligën C.
Në vazon e dytë janë Estonia, Bjellorusia, Ishujt Faroe dhe Qipro. Shorti do të përcaktojë katër çiftet, ndërsa Maqedonia do të përballet me një kundërshtar nga vazoja e dytë.
Ndeshjet e play-off-it do të zhvillohen në mars 2027, me dy takime, në shtëpi dhe në transfertë. Ndeshja e parë do të luhet në fushën e përfaqësueses së rangut më të ulët, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet në shtëpi të skuadrës së favorizuar. Fituesit do të sigurojnë një vend në Ligën B për edicionin e ardhshëm të garës, ndërsa të mundurit do të luajnë në Ligën C.
Hedhja e shortit në Nion fillon në orën 12:00, ndërsa në të njëjtën ceremoni do të përcaktohen edhe çiftet e play-off-it për Ligën A/Ligën B, si dhe çiftet çerekfinale në Ligën A.





