Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve në Ligën e Kombeve, këtë fundjavë rikthehet futbolli elitar me ndeshjet e javës së 14-të. Dueli hapës do të zhvillohet mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Bashkimit. Sulmuesi i Bashkimit, Nikel Or, beson se skuadra nga Kumanova do ta tejkalojë traditën negative dhe do t’u rikthehet fitoreve, me qëllim që të largohet nga zona e rrezikut.
„Shkëndija e Haraçinës deri tani po zhvillon një kampionat të shkëlqyer dhe ka treguar se është një kundërshtar shumë i vështirë për t’u mposhtur, veçanërisht në fushën e vet. Megjithatë, shpresojmë se do t’u rikthehemi rezultateve pozitive dhe do të dalim nga zona e rrezikut“, deklaroi, ndër të tjera, sulmuesi i Bashkimit, Nikel Or.
Në tri përballjet e deritanishme mes këtyre dy skuadrave, Shkëndija e Haraçinës ka qenë më e suksesshme, duke i fituar të tria ndeshjet. Në Kupën e Maqedonisë, Shkëndija fitoi 2:1, ndërsa në kampionat regjistroi fitore 2:0 në transfertën në Kumanovë. Një vit më parë, në një ndeshje miqësore, „kuqezinjtë“ ishin sërish më të suksesshëm me rezultatin 2:0.
Ndeshja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Bashkimit do të zhvillohet të premten (20.11) në stadiumin në Çair, duke filluar në orën 13:00. Drejtësinë do ta ndajë gjyqtari kryesor Stojançe Trpçevski.





