Futbollistët e Shkëndijës nga Haraçina sot presin skuadrën e Bregallnicës nga Shtipi, me një synim të qartë – t’i japin fund më në fund serisë negative në shtëpi dhe t’i regjistrojnë të tri pikët.
Skuadra e Haraçinës këtë sezon luan me dy fytyra: ndërsa në ndeshjet si mysafire është e sigurt dhe efikase, para tifozëve të saj e ka shumë të vështirë të arrijë fitoren e plotë. Në katër xhirot e fundit, skuadra regjistroi dy fitore si mysafire, por në shtëpi fitoi vetëm një pikë – pas barazimit me Tikveshin (1-1), në xhiron e kaluar pasoi humbja nga Bashkimi.
Kapiteni Besir Demiri beson se çelësi i triumfit qëndron te përkushtimi maksimal në fushë.
„Përpara nesh është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të kampionatit. Jemi të vetëdijshëm se ndeshje të tilla fitohen me luftë të madhe në fushën e gjelbër dhe do të japim maksimumin për të fituar tri pikë të reja“, deklaroi Demiri.
Tradita nga përballjet e deritanishme mes tyre paralajmëron një betejë të barabartë – të dyja skuadrat kanë nga një fitore dhe një barazim. Megjithatë, epërsia psikologjike është në anën e vendasve, të cilët në përballjen e fundit mes tyre, të zhvilluar më 4 shtator në Shtip, fituan me rezultatin minimal 1-0.
Ndeshja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Bregallnicës zhvillohet sot në stadiumin në Çair, duke filluar në orën 12:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë gjyqtari kryesor Stojançe Trpçevski.





