Në një ndeshje të vërtetë derbi të zhvilluar në stadiumin e Shtipit, Shkëndija e nisi furishëm. Që në aksionin e parë të ndeshjes, Endrit Krasniqi asistoi mjeshtërisht në zonën e rreptësisë, ndërsa Ndzenge e tundi rrjetën ftohtë për epërsinë e hershme.
Pak më vonë, Kryeziu lëshoi një predhë të vërtetë nga larg drejt portës vendase, por në lartësinë e detyrës me një ndërhyrje brilante ishte portieri Amir Jashar. Bregalnica rrezikoi në pjesën e parë kur Martin Stojanov u përpoq ta mposhtte portierin mysafir me një goditje parabolike, por Gaje me përpjekje maksimale e devijoi topin në goditje nga këndi.
Menjëherë pas kësaj, i njëjti futbollist organizoi një kundërsulm të shpejtë, por pasimi i tij përpara portës ishte për një fije tepër i shpejtë për Maksimovin në shtyllën e dytë.

Në minutën e 35-të, Tamba depërtoi në zonën e rreptësisë dhe gjuajti rrezikshëm, por Jashar sërish shpëtoi ekipin me një ndërhyrje të sigurt. Në vazhdim të të njëjtit aksion, rrezikoi edhe Krueziu, por mbrojtja vendase e largoi topin në momentin e fundit para vijës së portës.
Dhe kur dukej se Shkëndija e kontrollonte lojën, në minutën e 39-të pasoi tronditja dhe barazimi – 1:1. Maksimov depërtoi në krahun e djathtë dhe asistoi bukur për Hristijan Stojkovskin, i cili nga rreth 17 metra goditi saktë në rrjetë, duke shënuar golin e tij të parë këtë sezon me fanellën e Bregalnicës.

Pjesa e dytë nisi me një kërcënim të vendasve: Gligorov u gjend krejtësisht i vetëm vetëm gjashtë metra larg portës së Shkëndijës, por goditja e tij nuk pati fuqi dhe përfundoi drejtpërdrejt në duart e të sigurtit Gaje. I njëjti lojtar pak më vonë gjeti Maksimovin, por këtë herë gjuajtja përfundoi pa shpresë si një pre e lehtë.
Dënimi për rastet e humbura të vendasve nga Shtipi erdhi shpejt. Në minutën e 73-të, Shkëndija ndërmori një aksion të shpejtë dhe brilant kundërsulmi – me përvojë, Besart Ibraimi asistoi mjeshtërisht në zemër të zonës, ndërsa Marko Gjorgjievski nga shtatë metra shënoi qetësisht për epërsinë e re dhe 1:2.

Bregalnica u përpoq të rikthehej përmes Nathaniel Maskos në minutën e 78-të, por gjuajtja e tij përfundoi lart mbi portë. Vendasit patën mundësi të fitonin një pikë, por portieri i Shkëndijës priti penalltinë, të cilën në minutën e katërt të kohës shtesë nuk e shfrytëzoi Ivan Nikolov.
Në javën e ardhshme, të 13-tën, Shkëndijën e pret një tjetër transfertë e vështirë te Struga TL, ndërsa Bregalnica do të përballet me Bashkimin në Kumanovë.





