Skuadra e Shkëndijës nga Tetova udhëton për në Shtip me një qëllim të qartë – të fitojë tre pikët dhe të ruajë pozitën e liderit në tabelë, në një tjetër derbi tradicional që gjithmonë sjell rivalitet të madh. Mbrojtësi i majtë i tetovarëve, Bojan Dimovski, beson se skuadra ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë sfidë të vështirë.
„Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Mendoj se jemi plotësisht të gatshëm. Na pret një test i rëndësishëm në transfertë, por për ne nuk është vendimtare se ku luajmë – në shtëpi apo në transfertë. Shkëndija gjithmonë synon fitoren, kështu do të jetë edhe kundër Bregallnicës. Shpresoj se do të japim maksimumin dhe do t’i fitojmë të tre pikët“, theksoi Dimovski.

Mbrojtësi i Shkëndijës theksoi se mes dy klubeve ekziston një miqësi e madhe jashtë fushës, por gjërat ndryshojnë me fishkëllimën e parë të gjyqtarit.
„Bregallnica është gjithmonë një kundërshtar interesant dhe duelet me të kanë qenë tërheqëse për t’u parë. Jashtë fushës kemi marrëdhënie të shkëlqyera miqësore mes klubeve, por kur fillon ndeshja, gjithçka bëhet e paparashikueshme, sepse secili lufton për suksesin e vet. Prandaj edhe ne shkojmë në Shtip ekskluzivisht për tre pikët“, shtoi Dimovski.
Pas 11 javësh të zhvilluara, Shkëndija është lider i tabelës me 24 pikë, ndërsa Bregallnica ndodhet në vendin e 7-të me 13 pikë.
Ndeshja mes Bregallnicës dhe Shkëndijës do të luhet në stadiumin e qytetit në Shtip, duke filluar në orën 14:30, ndërsa gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë Vlatko Ilioski.





