Gaje: Sot ndaj Shkëndijës së Araçinovës shkojmë vetëm për fitore

Skuadra e Arsimit sot do ta zhvillojë ndeshjen e rëndësishme të kampionatit tonë të futbollit ndaj Shkëndijës së Araçinovës, ndërsa në prag të ndeshjes pritshmëritë e tij i ndau futbollisti Ebrima Gaje.

Ai pranon se në ekip mbizotëron zhgënjimi pas dy humbjeve radhazi ndaj Bregallnicës dhe Bashkimit, por theksoi se atmosfera është pozitive dhe se të gjithë janë maksimalisht të motivuar për t’u rikthyer në rrugët e fitores.

„E dimë se rezultatet e ndeshjeve të fundit nuk ishin në favorin tonë, por po punojmë shumë dhe besojmë në cilësitë tona. Sot kemi një mundësi të re për të treguar karakter dhe për t’u rikthyer me rezultat pozitiv“, deklaroi Gaje.

Duke folur për duelin e sotëm me Shkëndijën e Araçinovës, ai theksoi se synimi i vetëm i Arsimit është fitimi i tre pikëve.

„Na pret një ndeshje e vështirë, por jemi të gatshëm të japim maksimumin. Duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në të fundit. Synimi ynë i vetëm sot është fitorja dhe rikthimi në rrugët e fitores“, deklaroi Gaje.

Ndeshja Arsimi-Shkëndija e Araçinovës do të zhvillohet sot në orën 13:00 në stadiumin e qytetit në Gostivar.