Mislimi: Arsimi do të rikthehet më i fortë

Humbja nga Bregallnica në sekondat e fundit të ndeshjes solli zhgënjim në radhët e Arsimit, por ekipi tashmë është i përqendruar te sfida e radhës – ndeshja si mysafir ndaj Bashkimit në Kumanovë.

Futbollisti i Arsimit, Muarem Misl, nuk e fshehu zhgënjimin nga humbja e pafat, por theksoi se ekipi duhet të nxjerrë mësime dhe të vazhdojë me përkushtim edhe më të madh.

„Sigurisht që jemi të zhgënjyer si ekip, sepse kur pëson gol dhe humbet në sekondat e fundit, është shumë e vështirë ta pranosh. Megjithatë, futbolli është i tillë dhe duhet të nxjerrim mësime nga kjo ndeshje. Do të punojmë maksimalisht, do të përgatitemi sa më mirë dhe do të rikthehemi më të fortë në ndeshjet e ardhshme.

Tani jemi plotësisht të përqendruar te dueli i radhës kundër Bashkimit në Kumanovë. E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por ambiciet tona janë të qarta: ta japim maksimumin në fushë dhe të kthehemi me rezultat pozitiv. Besoj te ky ekip dhe jam i bindur se me punë dhe përkushtim do t’ia dalim t’i realizojmë objektivat tona“, deklaroi Misl.

Arsimi do të ketë mundësinë të reagojë shpejt në ndeshjen si mysafir në Kumanovë, ku do të përpiqet ta lërë pas humbjen nga Bregallnica dhe të rikthehet te rezultatet pozitive. Ndeshja Bashkimi-Arsimi do të luhet sot me fillim në orën 14:00 në stadiumin në Kumanovë.