Për më shumë se dy muaj, ekipi i KF Shkupit nuk njeh rezultat pozitiv në kampionat, ndonëse ndërkohë u gëzua për dy fitore, por në garat e kupës. Për t’u larguar nga fundi i tabelës nevojiten pikë, ndërsa skuadra e Ivan Varadinovskit shpreson se mund t’i fitojë ato në duelin e sotëm kundër Sileksit para tifozëve të vet.
„Për ne, çdo ndeshje e radhës është jashtëzakonisht e rëndësishme“, theksojnë nga KF Shkupi, duke pasur parasysh se kanë vetëm tri pikë të fituara dhe ende janë pa triumf në elitë.
Në tri ndeshjet e fundit, KF Shkupi luajti kundër treshes së kreut, ndaj tani shpreson se do të mund të bëjë diçka më shumë në duelet që pasojnë. Testi i parë i madh është ndeshja e sotme kundër Sileksit, e cila është caktuar për në orën 12:00, në stadiumin Zhelezarnica në Shkup.
Ndeshjen mes KF Shkupit dhe Sileksit do ta gjykojë Furkan Idrizi.





