Skopjei ndaj Arsimit kërkon triumfin e parë në elitë

Emocionet nga Liga e Parë e Futbollit u rikthyen në skenë pas pushimit të kombëtareve, ndërsa në mesditë, në stadiumin „Zhelezarë“, futbollistët e Skopjes do ta presin ekipin e Arsimit.

Vendasit ende nuk kanë fitore pas rikthimit në elitë, ndaj të përzgjedhurit e Ivan Varadinovskit shpresojnë që pikërisht sot të jetë dita për të festuar tri pikë.

Pushimi dyjavor u shfrytëzua për konsolidimin e ekipit, ndërsa trajneri Varadinovski pati kohë të mjaftueshme për t’i zbatuar idetë e tij. Është koha që ato të shfaqen edhe në praktikë në fushë, në duelin e sotëm.

„Shkojmë për fitore, jemi të përgatitur dhe maksimalisht të motivuar“, deklarojnë nga KF Skopje.

Ky është dueli i dy skuadrave të renditura të fundit në tabelë. Skopje është në fund me katër pikë të fituara, ndërsa Arsimi ka 10 pikë dhe ndodhet në pozitën e nëntë.

Ndeshja e parë mes tyre, e zhvilluar në Gostivar më 29 gusht, përfundoi pa gola.

Ndeshja e sotme në stadiumin „Zhelezarë“ fillon në orën 12, ndërsa do të drejtohet nga gjyqtari Aleksandar Grujoski.