Futbollistët e Shkupit në xhiron e kaluar arritën që në shtëpi ta ndalin Sileksin dhe të fitojnë një pikë, ndërsa sot i pret një tjetër sfidë e madhe. Të përzgjedhurit e Ivan Varadinovskit luajnë në transfertë në Kavadar dhe do të përpiqen t’i kundërvihen Tikveshit, një ekip që luan shkëlqyeshëm, veçanërisht në shtëpi.
Formula duhet të jetë pothuajse identike: mbrojtje e fortë dhe e organizuar, si dhe një repart i mesfushës i ngjeshur që do të përpiqet t’i neutralizojë armët kryesore të kundërshtarit.
„Jemi të gatshëm për një përballje dhe shpresojmë për rezultat pozitiv“, porosisin nga ekipi i Autokomandës në prag të ndeshjes.
FC Shkupi ende nuk ka fitore në elitë që nga fillimi i kampionatit dhe ndodhet në vendin e fundit të tabelës me katër pikë të fituara. Tikveshi është i treti me 21 pikë.
Ndeshjen mes Tikveshit dhe Shkupit, e cila është caktuar për në orën 13:00 në stadiumin e qytetit në Kavadar, do ta gjykojë Blagojçe Ralevski.





