Kombëtarja e Maqedonisë të shtunën e pret një sfidë të re në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Pas dy humbjeve nga Zvicra dhe Sllovenia, të përzgjedhurit e Goce Sedlloskit në shtëpi do të presin Skocinë, në një ndeshje ku dëshira për një reagim pozitiv do të jetë një nga motivet kryesore të ekipit kombëtar.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, përzgjedhësi Sedlloski edhe një herë e konfirmoi qëndrimin e tij se kombëtarja ndodhet në një proces rinovimi dhe se për këtë proces nevojitet kohë.
„E kemi rinovuar kombëtaren dhe do të vazhdoj ta rinovoj. Kritikat le të drejtohen ndaj meje. Në marrëveshje me federatën, do të vazhdoj procesin e krijimit të lojtarëve të rinj. Duam të krijojmë një kombëtare të re dhe do t’i qëndroj këtij procesi deri në fund. Për këtë nevojitet kohë, gjithçka nuk mund të vijë brenda natës“, theksoi Sedlloski.
Përzgjedhësi theksoi se paraqitja në Ligën B sjell sfida të ndryshme dhe se Maqedonia duhet të përshtatet me cilësinë e kundërshtarëve, por në të njëjtën kohë të mos heqë dorë nga mënyra e vet e lojës.
„Kur erdha, e dija se ku po hyja dhe me çfarë kombëtaresh do të luanim. Punoj, shikoj, ndjek dhe e di se çfarë po bëj. Dua që këta djem të jenë të kënaqur dhe ta bëjnë Maqedoninë të lumtur. Në ndeshjen me Slloveninë, veçanërisht në pjesën e parë, pamë gjëra me të cilat mund të jem i kënaqur dhe dua të vazhdojmë në atë ritëm, pa u mbrojtur“, shtoi përzgjedhësi.
Për Skocinë, Sedlloski pret një kundërshtar fizikisht të fortë, i cili shpesh përdor lojën me topa të gjatë dhe sulme të drejtpërdrejta.
„Skocia është një kombëtare që luan me topa të gjatë dhe dërgon shumë topa në zonë. Nuk duhet ta pranojmë lojën e tyre, por duhet ta neutralizojmë me reagimin tonë. Ata kanë lojtarë nga Premier League, Championship dhe Italia. Jemi gati të dalim në fushë, të tregojmë karakter dhe të luajmë ashtu siç dimë“, deklaroi Sedlloski.

Një mesazh të ngjashëm përcolli edhe Bojan Miovski. Sulmuesi i Glasgow Rangers beson se Maqedonia duhet të tregojë unitet dhe përmes lojës kolektive të arrijë rezultatin e dëshiruar.
„Çdo periudhë në kombëtare sjell sfidat e veta. Tani jemi në një moment kur duhet të tregojmë unitet. Nuk patëm rezultatet që prisnim, por tani duhet të tregojmë se jemi ekip. Mund të flasim shumë, por gjithçka duhet ta tregojmë në fushë“, tha Miovski.
Sulmuesi maqedonas ka shumë respekt për Skocinë, por beson se fusha vendase dhe qasja kolektive mund të jenë faktorë të rëndësishëm.
„Skocia është një kombëtare e shkëlqyer, ka lojtarë cilësorë dhe e dimë se ku luajnë. Ne luajmë në shtëpi dhe duhet të tregojmë cilësi. Nuk mund të mbështetemi te cilësia individuale. Nëse jemi kolektiv, do të rikthehen edhe rezultatet“, deklaroi Miovski.

Në të njëjtën frymë foli edhe Jani Atanasov, i cili theksoi atmosferën në dhomën e zhveshjes dhe përkushtimin e futbollistëve të kombëtares pavarësisht dy humbjeve.
„Sigurisht që ka pakënaqësi pas dy humbjeve, por që kur jam pjesë e ekipit kombëtar nuk mbaj mend të ketë qenë keq dhe ndonjë lojtar të mos jetë angazhuar. Atmosfera mes nesh është e shkëlqyer dhe shpresojmë për një rezultat pozitiv. Forca jonë është kolektivi“, theksoi Atanasov.
Maqedonia dhe Skocia do të përballen të shtunën në orën 20:45 në Arenën Kombëtare „Todor Proeski“ në Shkup. Kryesor i ndeshjes do të jetë François Letexier nga Franca.





