Tanevski: Në pjesën e dytë treguam karakter, këtë e kërkoj edhe në ciklin e ardhshëm

Përzgjedhësi i Maqedonisë U-21, Aleksandar Tanevski, pas barazimit 1:1 ndaj Malit të Zi në Manastir, theksoi se nuk është i kënaqur me rezultatin, por e vlerësoi pozitivisht karakterin dhe reagimin e futbollistëve të tij në pjesën e dytë.

„Nuk jam i kënaqur me rezultatin. Në pjesën e parë luajtëm të bllokuar, nuk arritëm ta gjenim energjinë e duhur, edhe pse kundërshtari nuk bëri shumë për të kaluar në epërsi. Megjithatë, arriti të shënonte gol para përfundimit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë ishim shumë më të mirë. Dolëm me energji ndryshe, luajtëm si ekip dhe treguam karakter. Kjo është diçka që për mua është shumë e rëndësishme. Pashë zjarr, luftë dhe dëshirë te të gjithë lojtarët, ndërsa në fund patëm mundësi edhe të arrinim te fitorja.

Tani na pret Suedia, një përfaqësuese që është në nivel të lartë. Edhe atje pres nga lojtarët luftë, karakter dhe një lojë që do të na japë një bazë të mirë për atë që na pret në ciklin e ri kualifikues.

Kemi hapësirë për përmirësim në të gjitha pozitat. Megjithatë, kjo në masë të madhe varet edhe nga puna e lojtarëve në klubet e tyre, nga minutazhi dhe forma e tyre. Veçanërisht linja mbrojtëse është një segment në të cilin duhet të punojmë dhe të jemi më të mirë në ciklin e ardhshëm.

Hoxha nga Lids është një nga asetet që kemi për ciklin e ardhshëm dhe pres që edhe ai të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj gjenerate“, deklaroi Tanevski.