Maqedonia pas reagimit në Lubjanë: Sedloski paralajmëroi ndryshime

Përfaqësuesen e Maqedonisë nesër e pret ndeshja e dytë në Ligën e Kombeve, kundër Sllovenisë në stadiumin „Stožice“ në Lubjanë. Pas humbjes nga Zvicra në Shkup, përzgjedhësi Goce Sedlloski paralajmëroi ndryshime në formacion dhe reagim nga futbollistët e tij.

„E analizuam mirë ndeshjen me Zvicrën dhe e dimë se ku duhet t’i përmirësojmë gabimet. Lojtarët janë të përgatitur dhe pres angazhim maksimal nga të gjithë. Sllovenia është një përfaqësuese cilësore, ka marrë pjesë në Kampionatin e fundit Evropian dhe meriton respekt maksimal. Do të ketë freskim në formacion, në disa reparte“, deklaroi Sedlloski.

Përzgjedhësi theksoi se beson te lojtarët që ka në dispozicion dhe se atmosfera në kampin e përfaqësueses është në nivel të lartë.

„Kemi një grup të shkëlqyer, një kombinim të futbollistëve të rinj dhe me përvojë. Atmosfera është e mirë dhe të gjithë jemi të motivuar të luajmë më mirë. Unë jam përgjegjës për përzgjedhjen e lojtarëve, por prej tyre pres të tregojnë më shumë cilësi dhe karakter në fushë. Sllovenia nuk duhet të nënvlerësohet dhe duhet të jemi maksimalisht të përgatitur.“

Kapiteni Stole Dimitrievski, nga ana tjetër, theksoi se përfaqësuesit kishin biseduar për lëshimet nga ndeshja e parë dhe se tani fokusi është i drejtuar tërësisht te Sllovenia.

„E dimë se nuk luajtëm në nivelin e dëshiruar kundër Zvicrës. Biseduam mes vete dhe tani duhet të tregojmë reagim. Kemi pak kohë mes ndeshjeve, por duhet të përgatitemi, të mbështesim njëri-tjetrin dhe t’i përgjigjemi maksimalisht detyrës. Kjo fanellë dhe Maqedonia meritojnë të japim gjithçka nga vetja“, tha Dimitrievski.

Portieri i Maqedonisë e pret edhe duelin e ri me Jan Oblakun, me të cilin prej vitesh përballet në La Ligën spanjolle.

„Me Oblakun kemi luajtur kundër njëri-tjetrit për më shumë se dhjetë vjet dhe e di mirë se për çfarë portieri bëhet fjalë. Ai është një nga më të mirët. Shpresoj ta kryej punën time, ta ruaj portën dhe së bashku të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Na duhen disa ndeshje cilësore për ta ngritur vetëbesimin“, shtoi Dimitrievski.

Ndeshja Slloveni – Maqedoni luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin „Stožice“ në Lubjanë.