Ftesa e parë në kombëtare për Gashtarovin dhe Meliqin

Përfaqësuesja A e Maqedonisë nisi përgatitjet me grumbullimin e parë, në prag të ciklit të ri të Ligës së Kombeve. Përfaqësuesja e Maqedonisë do të zhvillojë katër ndeshje në segmentin B, kundër Zvicrës, Sllovenisë dhe Skocisë.

Sfida e parë është ndeshja me Zvicrën më 26 shtator në Shkup, e ndjekur me transfertën në Slloveni më 29 shtator, pas së cilës vjen edhe ndeshja tjetër me Zvicrën më 6 tetor në Lucern dhe ndeshja me Skocinë më 3 tetor në Shkup.

Ndër të parët që arritën në grumbullimin e përfaqësues[s s[ Maqedonisë ishte debutuesi dhe 19-vjeçari Matej Gashtarov, i cili ishte në qendër të vëmendjes të mediave. Futbollisti i ri ka pasur një periudhë të shkëlqyer me Crvena Zvezdën, ku arriti të fitojë një vend në formacionin titullar. Për Gashtarovin, ftesa te përfaqësuesja e Maqedonisë është përmbushja e një ëndrre fëmijërie. Edhe pse pranon se nuk e priste të ndodhte kaq shpejt, futbollisti i ri vjen me dëshirë të madhe dhe një qëllim të qartë.

"Jam shumë i lumtur, e kam pritur këtë që kur isha fëmijë, e kam ëndërruar këtë për shumë vite. Pres me padurim të performoj dhe shpresoj për rezultate pozitive. Sigurisht, do të fitojmë pavarësisht se kush është kundërshtari. Kemi respekt të madh për Zvicrën, Skocinë dhe Slloveninë, por ekipi ynë ka cilësi të shkëlqyer dhe do të fitojmë. Do ta lëmë zemrën në fushë, siç pritet nga kjo fanellë", thotë Gashtarov.

Koha e tij te Crvena Zvezda ishte e mbushur me punë të palodhur, gjë që i siguroi atij një vend në formacionin titullar.

"Punova shumë fort dhe dhashë gjithçka nga vetja për të qenë në formacionin titullar të Crvena Zvezdës. Në fund, ndodhi. Jam gati të luaj në disa pozicione; kjo nuk është problem për mua. Çfarëdo që të kërkojë trajneri, do të përmbush gjithçka që pritet nga unë. Unë besoj në atë që po bëj. A e prisja që e gjithë kjo të ndodhte kaq shpejt? Ndoshta jo, por jam gjithmonë gati për një sfidë të tillë", shton Gashtarovi.

Anes Meliqi, lojtari i Shkëndijës, mori gjithashtu ftesën e tij të parë për përfaquesën A të Maqedonisë. Për të, debutimi në ekipin më të mirë kombëtar është një nder i madh, por edhe një detyrim.

"Është një privilegj për mua të jem pjesë e kësaj skuadre. Kemi katër ndeshje shumë të vështira, por mendoj se duhet të mendojmë së pari për Zvicrën. Të gjithë e dimë se çfarë kundërshtari është Zvicra. Me vullnetin e Zotit, me Zotin përpara, do të arrijmë një rezultat pozitiv. Natyrisht, pres një performancë dhe do të jap maksimumin tim në çdo minutë që më jep trajneri", thotë Meliqi.

Futbollistët e Maqedonisë do të kenë mundësinë e parë për të konfirmuar ambicjet e tyre më 26 shtator, kur Maqedonia pret Zvicrën në Shkup.