Sistemi VAR është bërë realitet në Ligën e Parë të Maqedonisë

Në “Shtëpinë e Futbollit” u promovua zyrtarisht sistemi VAR, i cili për herë të parë në historinë e futbollit maqedonas do të fillojë të aplikohet në sezonin e ri në Ligën e Parë.

Një total prej tre dhomash VAR, një server dhe një dhomë kontrolli janë ndërtuar tashmë sipas standardeve të FIFA-s. Presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç, së bashku me Dejan Jakimovskin, udhëheqësin e projektit VAR dhe Josip Barton, kryetar të komitetit të delegimit të gjyqtarëve, ndanë detajet e zbatimit të sitemit VAR.

FFM, së bashku me sistemin VAR, ka siguruar gjithashtu një makinë reportazhi që mund të përdoret për transmetimet televizive të ndeshjeve.

Kreu i futbollit në Maqedoni, Masar Omeragiç, shprehu kënaqësinë e tij me implementrimin e teknologjisë VAR. Omeragiç premtoi se gjëja e parë mbi të cilën do të punonte do të ishte sistemi VAR dhe në një kohë të shkurtër arriti ta përmbushte premtimin e tij.

"Sistemi VAR në Maqedoni më në fund është bërë realitet. Jam krenar për ekipin në federatë që punoi 24/7 në këtë projekt. Ne kemi siguruar të gjithë teknologjinë e nevojshme, kemi tre dhoma moderne dhe një dhomë kontrolli. Në këto tre muaj, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Federata shumë më të mëdha se e jona kishin nevojë për një periudhë shumë më të gjatë për të zbatuar sistemin VAR. Kjo është arsyeja pse FIFA dhe UEFA na njohën, ata nuk besonin se do të arrinim ta realizonim këtë projekt të madh në një kohë kaq të shkurtër", tha Omeragiç.

Të gjitha ekipet e Ligës së Parë kanë stadiume të regjistruara me licencë dhe kushte VAR, me përjashtim të stadiumit në Çair, ku luan Shkupi dhe ku ende nuk ka kushte për zbatimin e sistemit. Të gjithë gjyqtarët në dhomat e VAR do të jenë gjyqtarë nga Maqedonia.