Në fushën e rënduar dhe me baltë të stadiumit në Çair, Shkëndija e Haraçinës dhe Tikveshi, zhvilluan një ndeshje luftarake, në të cilën të dyja skuadrat shënuan nga një gol dhe fituan nga një pikë.
Që në minutën e 6-të, Marko Simonovski shfrytëzoi mundësinë e parë të vërtetë para portës kundërshtare – pas krosimit të saktë të Elezit nga krahu i djathtë, ai e dërgoi topin në rrjetë me qetësi për epërsinë e hershme.

Vetëm një minutë më vonë, në anën tjetër të fushës, Lavalli u shkëput dhe gjuajti rrezikshëm nga rreth 18 metra, por portieri Stolevski shkëlqeu në portën e Shkëndijës me një pritje brilante.
Në minutën e 12-të, Visdom Okere, me një depërtim mjeshtëror individual, fitoi pozicion në zonën e rreptësisë, por goditja e tij përfundoi pranë portës. Vetëm tri minuta më vonë, i palodhshmi Laval e trazoi sërish mbrojtjen, por këtë herë gjuajtja e tij përfundoi mbi portën e Shkëndijës.
Marko Simonovski ishte pranë golit të tij të dytë në minutën e 22-të, kur depërtoi në zonën e rreptësisë dhe u përpoq ta lobonte portierin mysafir, i cili megjithatë reagoi siç duhej. Vetëm një minutë më vonë, Dashmir Elezi lëshoi një predhë të vërtetë nga 20 metra, por topi kaloi vetëm disa centimetra pranë shtyllës.

Në fillim të pjesës së dytë, Nfanli Sila krosi në zemër të zonës së rreptësisë, ku krosimin e priste Lavali, por i vëmendshmi Stolevski ndërhyri në kohë.
Në minutën e 50-të, Dashmir Elezi gjuajti rrezikshëm nga një pozicion anësor, me të parën, në zonë, por portieri i Tikveshit, me përpjekje maksimale, e devijoi topin në korne. Vetëm tri minuta më vonë, Sharkoski ekzekutoi nga këndi, ndërsa Elezi u ndal sërish nga ndërhyrja e sigurt e portierit mysafir.

Në minutën e 75-të, ndëshkimi erdhi pas gabimit në mbrojtjen e Shkëndijës – Vildan Kerimi, duke u përpjekur ta largonte topin nga zona e tij e rreptësisë, pa dashje asistoi për Lusijaninhon, i cili e shfrytëzoi me mjeshtëri dhe barazoi rezultatin në 1:1!
Sulmuesi i Tikveshit, Nfanli Sila, pati edhe një mundësi të bukur më vonë, kur gjuajti nga goditja e lirë prej rreth 17 metrash, por topi kaloi vetëm pranë portës së Stolevskit.

Në fund, ndarja e pikëve dukej si epilogu më realist i kësaj përballjeje luftarake në kushtet e vështira të stadiumit në Çair.
Në xhiron e ardhshme, të 13-tën, Shkëndija e Haraçinës do të jetë mysafire e Arsimit në Gostivar, ndërsa Tikveshi, para publikut të vet në Kavadar, do të përballet me skuadrën e Skopjes.





