Përfaqësuesja e Maqedonisë U17 e mposhti përfaqësuesen e San Marinos me rezultatin 1-0 dhe siguroi kualifikimin në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2027.
Të përzgjedhurit e Iljami Isejnit e arritën fitoren e dytë në Grupin 11 dhe, me gjashtë pikë maksimale, u kualifikuan në Ligën A, pasi edhe Turqia e mposhti bindshëm Hungarinë me rezultatin 4:0.
Heroi i Maqedonisë ishte sërish Stefan Ristiç. Sulmuesi nga akademia e të rinjve të Partizanit shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 58-të, pas asistimit të shkëlqyer të Aleksandar Polimecit.
Ristiçi e vazhdoi serinë e tij mbresëlënëse të golave me fanellën e kombëtares. Në ndeshjen e parë kundër Hungarisë, ai ishte më meritori për përmbysjen e madhe dhe fitoren 3-2, duke shënuar të tre golat për Maqedoninë. Me golin e sotëm, sulmuesi i ri tashmë ka katër gola në dy ndeshjet e para të turneut kualifikues.
Për futbollistët tanë të rinj të kombëtares mbetet edhe një ndeshje në fazën e grupeve. Më 17 nëntor, në xhiron e fundit, ata do të përballen me nikoqiren Turqinë, në një duel që do të përcaktojë renditjen përfundimtare në grup.





