Përfaqësuesja e Maqedonisë U17 e përfundoi me humbje 0-3 nga Turqia paraqitjen në raundin e parë kualifikues për kualifikimin në Kampionatin Evropian, në turneun në Hungari. Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit, të përzgjedhurit e selektorit Iljami Isejni siguruan vendin e dytë në grup dhe kualifikimin në raundin elitar kualifikues.
Turqia e konfirmoi pozitën e parë me nëntë pikë maksimale nga tri ndeshje. Golashënues për përfaqësuesen turke në duelin e sotëm ishin Deniz, Kabaktash dhe Sivaslioglu.
Maqedonia e përfundoi turneun me gjashtë pikë të fituara, duke regjistruar fitore të rëndësishme ndaj nikoqires Hungari, 3-2, dhe San Marinos, 1-0.
Surprizën e ditës së fundit e bëri San Marino, e cila e mposhti Hungarinë me 3-2 dhe me këtë e fitoi vendin e tretë në grup. Nikoqirja e përfundoi turneun kualifikues në pozitën e fundit, pa asnjë pikë të fituar. Kualifikimi në raundin elitar kualifikues është një hap i rëndësishëm për përfaqësuesen tonë dhe një mundësi për vazhdimin e luftës për një vend në turneun final të Kampionatit Evropian.





