Shkëndija e Haraçinës vazhdon serinë e rezultateve pozitive, duke arritur një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Arsimit me rezultatin 2:0. Ekipi mysafir tregoi pjekuri dhe efikasitet në momentet kyçe të ndeshjes, ndërsa vendasit vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e rezultateve dhe e vetëbesimit në lojën e tyre.
Në pjesën e parë, ekipi mysafir ishte më ofensiv dhe krijoi disa raste të mira për gol. Mile Todorov rrezikoi dy herë, ndërsa edhe Sharkovski provoi në dy raste, por rrjetat mbetën të paprekura deri në pushim.
Momenti vendimtar erdhi menjëherë në fillim të pjesës së dytë. Dashmir Elezi shënoi një gol të vërtetë evropian dhe zhbllokoi rezultatin. Pas një kontrolli të shkëlqyer të topit, ai gjuajti me këmbën e majtë dhe e dërgoi topin pas shpinës së portierit Siljanovski për epërsinë 1:0.

Arsimi u përpoq të reagonte, kryesisht me gjuajtje nga distanca përmes Albin Ramadanit dhe Lorik Kaba Jakupit. Rasti më i mirë për vendasit erdhi në minutën e 70-të, kur Gaje goditi shtyllën dhe ishte shumë pranë barazimit.
Në minutën e 83-të, pas një aksioni të Ariton Memedit, i cili sapo kishte hyrë në lojë, një mbrojtës i Arsimit preku topin me dorë në zonën e rreptësisë. Fillimisht, gjyqtari lejoi që loja të vazhdonte, por pas konsultimit me VAR-in u konfirmua prekja me dorë dhe u akordua penallti për Shkëndijën. Nga pika e bardhë, kapiteni Besim Demiri ishte i saktë dhe e vulosi fitoren me rezultatin përfundimtar 2:0.
Në kohën shtesë, Selmani, i cili hyri nga stoli, pati një mundësi të shkëlqyer pas një kundërsulmi, por gjuajtja e tij përfundoi pranë portës, megjithëse mund ta kishte thelluar më tej epërsinë e mysafirëve.

Deri në fund, vendasit u përpoqën të bënin më shumë, por Shkëndija e Haraçinës u tregua një ekip i organizuar mirë dhe i sigurt, duke konfirmuar edhe një herë se po vazhdon me paraqitje shumë të mira.
Nga ana tjetër, Arsimi vazhdon të kalojë një periudhë të vështirë me rezultate të dobëta dhe mbetet në një krizë nga e cila duhet të gjejë sa më shpejt një rrugëdalje. Ekipi që vetëm pak javë më parë konsiderohej kandidat për kreun e tabelës, tani përballet me një realitet krejt tjetër dhe ka nevojë për një reagim urgjent për të rikthyer stabilitetin dhe besimin në ekip.





