Përpara Bregalnicës është udhëtimi në Kumanovë te Bashkimi, në javën e 13-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë. Skuadra e Shtipit ka vetëm një fitore dhe gjithsej katër pikë në ndeshjet jashtë fushe këtë sezon, ndërsa përshtypjen e përmirësoi në udhëtimin e fundit, kur u largua me tri pikë nga Gostivari, pas fitores ndaj Arsimit.
Në kampin e Shtipit shpresojnë se do të vazhdojnë të marrin pikë edhe në transfertë, të cilat do t’ua sigurojnë mbijetesën këtë sezon në PMFL.
Në ndeshjen e kaluar kundër Shkëndijës, skuadra e Shtipit u paraqit në dritë të mirë dhe në fund pati edhe një penallti për të arritur të paktën një pikë, por nuk pati fat ta realizonte dhe të mbetej e pamposhtur.
„Kundër Shkëndijës humbëm në mënyrë të pafat, mendoj se nuk e merituam humbjen. Por, ajo ndeshje tashmë është pas nesh dhe jemi të fokusuar te ndeshja me Bashkimin. Do të jetë një transfertë e vështirë, por jemi të përgatitur të japim gjithçka nga vetja për të arritur një rezultat të mirë. Nuk do të jetë e lehtë, megjithatë kundër Arsimit treguam se mund të fitojmë edhe në transfertë këtë sezon, ndaj shpresoj që kështu të jetë edhe në këtë ndeshje. Atmosfera në skuadër është e shkëlqyer, të gjithë jemi të gatshëm të zbresim në fushë dhe të japim gjithçka nga vetja për një rezultat të mirë nga Kumanova“, deklaroi Viktor Velkoski, mbrojtësi i Bregalnicës.





