Futbollistët e Shkëndijës së Haraçinës do të përpiqen ta ndërpresin serinë prej katër ndeshjesh pa fitore në Ligën e Parë, kur në kuadër të xhiros së re do të përballen me ekipin e Tikveshit në stadiumin në Çair.
Ndërkohë, skuadra nga Haraçina e ndërpreu krizën dhe me fitoren 2:0 ndaj Bashkimit në Kumanovë siguroi kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë. Sulmuesi anësor Ariton Mehmedi beson se energjia pozitive dhe atmosfera e mirë do të transmetohen edhe në duelin e sotëm ndaj skuadrës nga Kavadari, e cila në këtë ndeshje vjen pas triumfit të rëndësishëm ndaj Vardarit në Kupë.
„Na pret një ndeshje e rëndësishme kundër Tikveshit, një kundërshtar që meriton respekt maksimal. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij dueli dhe jemi të motivuar të japim më të mirën nga vetja në fushë. Gjatë javës kemi punuar shumë dhe me përkushtim, ndaj besoj se jemi plotësisht të përgatitur për sfidën“, deklaroi Ariton Mehmedi, sulmuesi anësor i Shkëndijës së Haraçinës.

Mehmedi theksoi se arma kryesore e ekipit duhet të jetë loja kolektive dhe lufta.
„Si ekip kemi një qëllim të qartë – të luajmë në mënyrë të disiplinuar, me karakter dhe shpirt luftarak, dhe të arrijmë një rezultat pozitiv. E dimë se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Shkëndijës së Haraçinës dhe do të bëjmë gjithçka për t'i mbrojtur denjësisht ngjyrat e klubit. Besoj te bashkëlojtarët e mi dhe te puna e përbashkët. Shpresoj se do t'i tregojmë cilësitë tona në fushë dhe do t'i gëzojmë tifozët tanë besnikë“, porositi Mehmedi.
Në duelin e vetëm të mëparshëm mes tyre në Ligën e Parë, Shkëndija shënoi një fitore minimale 1:0 si mysafire në Kavadar.
Ndeshja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Tikveshit do të luhet në stadiumin në Çair, duke filluar në orën 12:00, ndërsa gjyqtar kryesor i takimit do të jetë Stojançe Stojanov.





