Tikveshi e mposhti Shkupin me 1-0 në ndeshjen e parë të javës së 13-të të Ligës së Parë të Futbollit. Ekipi nga Kavadari pati shumë raste, por Kristian Naumovski shkëlqeu në portën e Shkupit. Megjithatë, pikët i takuan Tikveshit.
Tikveshi kaloi në epërsi në minutën e 26-të. Pas goditjes nga këndi nga ana e djathtë, Renatinho me një goditje volej e tundi rrjetën e Kristian Naumovskit.

Dhjetë minuta më vonë, Laval pati një rast, por gjuajti pasaktë nga 12 metra. Deri në fund të pjesës së parë, edhe Sila pati një mundësi, pas pasimit të Lucianinhos, por në momentin e fundit mbrojtja e Shkupit largoi rrezikun.
Tikveshi u nis në mënyrë ofensive edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 51-të, Lucianinho doli i vetëm përballë Naumovskit, e kaloi portierin, por më pas nuk arriti ta godiste portën e zbrazët nga një pozicion i favorshëm.

Më pas, në raste të mira ishin edhe Laval dhe Wisdom, por pa rezultat. Në minutën e 59-të, Lucianinho përsëri pati një mundësi të shkëlqyer, gjuajti nga afërsia, por Naumovski shpëtoi një gol të sigurt.
Tre minuta më vonë, Lucianinho përgatiti një rast të shkëlqyer për Lavalin, por Naumovski përsëri reagoi shkëlqyeshëm.

Pas shumë rasteve, dukej se Tikveshi e kishte dyfishuar epërsinë në minutën e 69-të, kur Okere Wisdom arriti ta mposhtte portierin kundërshtar. Megjithatë, u sinjalizua pozicion jashtë loje dhe goli nuk u akordua.
Në fund, Tikveshi i fitoi tri pikët, edhe pse mund të festonte një fitore shumë më bindëse.






