Në kuadër të xhiros së dhjetë të ligës së parë të futbollit, Arsimi do të vizitojë Kavadarin, ku do të përballet me ekipin e Tikveshit, i cili njihet për lojën e fortë dhe luftarake në fushën e tij. Arsimi e mbylli javën me stërvitje intensive dhe analizë të detajuar të kundërshtarit, me qëllim përmirësimin e lojës së vet në të gjitha linjat.
Anësori Shpend Asani thotë se skuadra është plotësisht e përgatitur dhe e motivuar.
“Kemi punuar shumë këtë javë dhe e dimë se çfarë na pret në Kavadar. Nuk do të jetë e lehtë, por jemi gati të japim gjithçka në fushë. Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër një kundërshtari cilësor si Tikveshi, veçanërisht në fushën e tyre në Kavadar. Megjithatë, ekipi ynë ka punuar shumë gjatë javës, e kemi analizuar lojën e tyre dhe jemi të përgatitur maksimalisht të japim gjithçka në fushë. Kemi respekt për çdo kundërshtar, por nuk kemi frikë nga askush. Qëllimi ynë është të tregojmë lojë të disiplinuar, luftarake dhe me zemër siç e karakterizon gjithmonë Arsimi.”
Asani shtoi:
"Jam i bindur se nëse e zbatojmë planin e trajnerit dhe japim më të mirën tonë, mund të arrijmë një rezultat pozitiv edhe në këtë fushë të vështirë. Falënderoj tifozët tanë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, ata janë forca jonë shtesë në çdo ndeshje", përfundoi lojtari i Arsimit.
Ndeshja Tikvesh – Arsim do të luhet në stadiumin e qytetit në Kavadar me fillim në orën 14:30.





