Dueli Arsimi – Pelister që do të luhet në Gostivar shënon mbylljen e pjesës së parë të kampionatit tonë të futbollit. Para ndeshjes së rëndësishme, lojtari i Arsimit, Rinor Ajdini, shpalosi pritjet dhe apelin e tij ndaj tifozëve.
Ajdini theksoi rëndësinë e duelit dhe motivin brenda radhëve të Arsimit.
"Kjo ndeshje është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Jemi në një moment pozitiv pas fitoreve ndaj Shkendijës dhe pak ditë më parë kundër Sileksit në Kratovë, por ato fitore do të fitojnë vlerë të plotë vetëm nëse arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje. Duhet të hyjmë të përqendruar dhe pa e nënvlerësuar veten, sepse Pelisteri di të jetë i rrezikshëm."
Ai shtoi se skuadra dëshiron ta mbyllë gjysmën e sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme.
"Qëllimi ynë është i qartë, ta përfundojmë gjysmën e sezonit me një fitore. Kemi punuar shumë dhe besojmë në pikat tona të forta. Shpresojmë që tifozët të jenë me ne, sepse mbështetja e tyre na jep energji shtesë."
Ndeshja e javës së 16-të midis Arsimit dhe Pelisterit do të luhet në Gostivar, duke filluar nga ora 13:00.





