Asani: Shkojmë për fitoren e parë, tri pikët duhet të mbeten në Kumanovë

Pas nokautit të rëndë në Kratovë dhe humbjes nga Sileksi (0-6) në hapjen e sezonit, skuadra e Bashkimit para tifozëve të vet kërkon rehabilitim dhe pikët e para në kampionat. Në Kumanovë mysafir është Tikveshi i motivuar, i cili në hapjen e sezonit triumfoi ndaj Arsimit me 5:1.

Pavarësisht kundërshtarit të fortë, në kampin e vendasve mbizotëron optimizmi. Rahman Asani është i vetëdijshëm për vështirësinë e sfidës, por shprehet qartë se synimi është vetëm një – triumfi në paraqitjen e parë para tifozëve vendas.

Para tifozëve tanë na pret një duel jashtëzakonisht i rëndësishëm kundër Tikveshit. Përballemi me një skuadër cilësore dhe të organizuar mirë, por Bashkimi në fushën e vet gjithmonë dikton ritmin dhe luan me një energji të veçantë”, theksoi Asani.

Drejtuesit e kumanovarëve ishin jashtëzakonisht aktivë në merkato, duke kompletuar plot dhjetë përforcime të reja gjatë afatit kalimtar. Pritet që gjaku i ri në skuadër ta rrisë ndjeshëm cilësinë dhe të sjellë impulsin e dëshiruar. Asani beson se kombinimi i përforcimeve të reja dhe mbështetja nga tribunat do të sjellë gëzimin e parë në sezonin e ri.

Na duhet mbështetje nga minuta e parë deri në të fundit. Na nevojitet çdo tifoz. Së bashku shkojmë për fitoren e parë që tre pikët të mbeten në Kumanovë”, tha Asani.

Tradita nga përballjet e deritanishme i jep një epërsi të vogël Bashkimit. Në 8 duelet e zhvilluara deri tani, kumanovarët kanë fituar 4 herë, kurse ekipi nga Kavadari është gëzuar dy herë, ndërsa 2 ndeshje kanë përfunduar pa fitues.

Ndeshja në Kumanovë mes Bashkimit dhe Tikveshit fillon në orën 17:00.