Bashkimi me kthesë drejt fitores ndaj Shkupit

Në ndeshjen e fundit të javës së 24-të në LPFM, Bashkimi arriti të shënojë fitore me 3-2 ndaj FC Shkupit, më vështirë se sa pritej. Në fushën e vështirë të stadiumit në Kumanovë, të dyja ekipet nuk treguan pothuajse asgjë në 45 minutat e para. Si Bashkimi ashtu edhe Shkupi luajtën me kujdes, me një qasje të rezervuar dhe pa kërcënime serioze ndaj portave të kundërshtarit, gjë që rezultoi me rrjeta të paprekura të mbyllen 45 minutat e para.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm krejtësisht të ndryshëm. Ziberi dërgoi një „projekt“ të vërtetë drejt portës së ekipit kundërshtarë duke i dhënë Shkupit epërsinë dhe duke shkaktuar një tronditje të madhe në tribuna. Vetëm dy minuta më vonë, Çajani shënoi një tjetër gol spektakolar, duke e vendosur topin në cepin e pambrojtur të portierit Stojkovski për 0-2.

Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë për Bashkimin në minutën e 72-të, kur Orr u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë.

Megjithatë, hyrja e Ribeiros në lojë e ndryshoi plotësisht fytyrën e ekipit të Kumanovës. Së pari, Liçina e zvogëloi epërsinë me një gjuajtje me kokë pas një goditjeje nga këndi, dhe vetëm një minutë më vonë, pas një ngatërrese në zonën e penalltisë së mysafirëve, Ferrati shënoi një autogol për të barazuar rezultatin në 2-2.

Dhjetë minutat e fundit i përkisnin tërësisht Bashkimit, i cili sulmoi me të gjithë "arsenalin" e tij drejt portës së Musliut. Në minutën e 88-të, Avornio krosoi në zonën e penalltisë ku Ribeiro shënoi me kokë për rezultatin përfundimtar 3-2. I njëjti sulmues shënoi një gol të katërt, por u anulua për pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore, Bashkimi arriti triumfin e 10-të këtë sezon dhe një total prej 35 pikësh. Nga ana tjetër, Shkupi mbetet skuadra e vetme pa fitore, me vetëm një pikë të fituar deri më tani. Në raundin tjetër, Bashkimi do të vizitojë Tikveshin, Shkupi do të luajë jashtë fushe kundër Sileksit.