Bashkimi në kërkim të triumfit të parë dhe golit të parë kundër Strugës

Skuadra e Bashkimit, e udhëhequr nga trajneri i ri i stafit teknik, Muarem Muarem, sot hyn në betejë për fitoren e parë historike ndaj skuadrës së Struga Trim Lum, pasi ka humbur tri përballjet e mëparshme mes tyre në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Pushimin për shkak të paraqitjeve të kombëtareve në Ligën e Kombeve, kumanovarët e shfrytëzuan për ta ngritur formën përmes ndeshjeve miqësore me skuadrat kosovare të elitës, Dritën (1-1) dhe Gjilanin (0-3). Në kampin e Bashkimit mbizotëron optimizmi dhe besimi në një rezultat pozitiv.

„Duelet me Struga Trim Lumin gjithmonë sjellin motiv të veçantë. Pas pushimit të kombëtareve kthehemi maksimalisht të përgatitur dhe me shumë punë pas nesh. Hyjmë në një betejë të pamëshirshme për t’i fituar tre pikët në Kumanovë dhe për t’i gëzuar tifozët tanë besnikë“, theksoi ndër të tjera Antonio Da Silva Sanka.

Në prag të kësaj përballjeje të fundit të xhiros së 9-të, interesante është statistika që zbulon se Bashkimi jo vetëm që i ka humbur të tri ndeshjet e deritanishme me struganët, por ende nuk ka shënuar asnjë gol në portën e tyre.

Përballja mes Bashkimit dhe Struga Trim Lum luhet sot në stadiumin e qytetit në Kumanovë, duke filluar nga ora 15:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë gjyqtari kryesor Stojanço Stojanov.