Struga Trim Lum, pas pushimit trejavor për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare, rikthehet në ndeshjet e kampionatit.
Struganët sot do të jenë mysafirë të Bashkimit në Kumanovë, me synim të qartë për të vazhduar paraqitjet e mira dhe për të fituar edhe tri pikë të reja. Nëse ia dalin, do të barazohen në krye të tabelës me liderin Shkëndija.
Në prag të duelit me Bashkimin, pritshmëritë e tij i ndau sulmuesi Hristijan Maleski, i cili beson se skuadra e tij është e gatshme për një triumf të ri.
„E respektojmë Bashkimin, pavarësisht pozitës së tyre në tabelë. Struga Trim Lum, si në çdo ndeshje, hyn me synimin për t’i fituar tri pikët. Shpresojmë që sot në Kumanovë të arrijmë një tjetër fitore në kampionat“, theksoi Maleski.
Sulmuesi është i kënaqur edhe me atmosferën në ekip, duke theksuar se përgatitjet për sfidën e ardhshme kanë kaluar sipas planit.
„Në ekip mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer dhe u përgatitëm mirë për këtë ndeshje. Presim të zhvillojmë një ndeshje cilësore dhe besojmë se në fund ne do t’i gëzohemi fitores“, shtoi Maleski.
Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, duke filluar nga ora 15:00, ndërsa do të gjykohet nga Stojanče Stojanov.





