Kampioni i Ligës së Parë të Futbollit, ekipi i Shkendisë, ka një "detyrë shtëpie" në javën e 7-të, duke pritur në fushën e tyre ekipin e Tikveshit. Nga skuadra kampione theksojnë se në çdo ndeshje shkojnë për fitore duke theksuar se nuk ka kundërshtarë të lehtë në këtë kampionat.
"Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Na pret një orar i ngjeshur, sepse do të luajmë çdo tre ditë në kampionat dhe në Evropë. Por jemi të motivuar dhe të fokusuar 100% për të fituar tre pikët. Bëmë një analizë të mirë të Tikveshit, për aq sa kishim kohë. Shkendija është gjithmonë e gatshme të fitojë dhe jam i bindur se pikët do të mbeten në Tetovë. Nuk ka kundërshtarë të lehtë, çdo pikë është e rëndësishme, veçanërisht në fillim të kampionatit, sepse në fund do të jetë shumë më e vështirë", tha Klisman Cake, mbrojtësi i Shkendijës.
Ai shtoi se ka një zhgënjim të lehtë në kampin e kampionëve pas barazimit në Strugë.
"Padyshim që ka zhgënjim. Në çdo derbi, një barazim jashtë fushe është i pranueshëm, por kjo vlen për klubet e tjera, jo për Shkendijën, e cila gjithmonë sulmon për fitore. Por ne po ecim përpara. Në ndeshjen e sotme synojmë pikë dhe të vazhdojmë në një atmosferë pozitive në këtë orar të ngjeshur", përfundoi Cake.





